Shefi i Grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka kërkuar nga Qeveria që ta rrisë pagën minimale në vend.
Sipas tij, Qeveria Kurti po e trajton me prioritet zero duke theksuar se ka vetëm fjalë të bukura për një vit, në ndërkohë që punë nuk ka kryer.
“Për AAK-në, është brengë shumë e madhe mosreflektimi i Qeverisë dhe shumicës parlamentare në tema që lidhen me mirëqenien e qytetarëve, me ekonominë, me fukarallëkun që është problemi kryesor në Kosovë e Qeveria e trajton problemin ekonomik me prioritet zero”.
“Ne kemi dy kërkesa, ngritja e pagës minimale, të jetë 400 euro dhe legjislacionin që e rregullon këtë temë, ligjin pagave, nëse nuk kanë mundësi dhe instrument për subvencionim kanë mundësi me marr vendime. Rriteni pagën minimale në 400 euro, leni tryezat”.
Ndër të tjera, Tahiri kërkoi që të sjellet ligji për paga, në mënyrë që të lehtësohet jeta e qytetarëve.
“Silleni ligjin për paga, dy masa që menjëherë lehtësojnë jetën e qytetarëve dhe pastaj merrni vendime tjera të tipit të trustit të cilin në e kemi mbështetur. Një vit qeverisje është – fjalë të bukura, zhurmë si me tupan, punë kërkah hiç. Për fjalë kush nuk ua kalon, për punë, faleminderit”, tha Tahiri. /Gazeta Enigma/.