Nënkryetari i Aleancës, Besnik Tahiri, ka kritikuar ashpër mënyrën e funksionimit të institucioneve, duke thënë se çështjet kryesore po shtyhen vazhdimisht deri në momentin e fundit.
Përmes një postimi në Facebook, Tahiri ka thënë se institucionet po funksionojnë vetëm nën presionin e krizave, ndërsa ka ngritur pikëpyetje edhe për vonesat lidhur me një Ligj që, sipas tij, ende nuk është kthyer në Kuvend nga Ministria e Drejtësisë.
“Shikojeni ku ka rënë kjo shoqëri nën këtë mënyrë qeverisjeje, gjithçka shtyhet, gjithçka lihet për fund, ndërsa institucionet funksionojnë vetëm nën presionin e krizës”, ka shkruar Tahiri.
Ai ka kërkuar sqarime se pse Ligji, sipas tij, ende nuk është kthyer në Kuvend nga Ministria e Drejtësisë.
“Pse nuk kthehet Ligji në Kuvend nga Ministria e Drejtësisë? Ai Ligj nuk është ndonjë dokument analitik i NASA-s. Është ligj, me disa nene, që mund të diskutohet, ndryshohet dhe votohet. Pse kjo logjikë anti-shtetërore? Kujt po i lëmë ngile kështu?”, ka shkruar Tahiri.
Tahiri ka kritikuar edhe mungesën e një diskutimi serioz për zgjedhjen e Presidentit dhe për funksionimin e institucioneve.
“Pse nuk ka diskurs serioz për zgjedhjen e Presidentit? Pse nuk flitet seriozisht për një shtet funksional dhe llogaridhënie? Sepse duket se qëllimi nuk është zgjidhja e krizave, por kalimi nga një krizë në tjetrën”, ka deklaruar ai.
Në fund, nënkryetari i Aleancës ka thënë se kjo mënyrë e funksionimit nuk përbën qeverisje dhe se problemet po shtyhen vazhdimisht deri në momentin e fundit.
“Kjo nuk është qeverisje. Është shtyrje e vazhdueshme e problemit deri në minutën e fundit.
Shteti nuk qeveriset në 24 orët e fundit”, ka përfunduar nënkryetari i Aleancës.
