Pasi në Kuvendin e Kosovës nuk u miratua rezoluta e propozuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, për faljen e gjobave gjatë kohës së pandemisë, COVID-19, kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se Qeveria e Kosovës është duke injoruar dhe anashkaluar këtë iniciativë, raporton Gazeta Enigma.
Tahiri përmes një konference për media tha se kishte shtrembërim dhe bishtërim edhe gjatë debatit të sotshëm në Kuvend.
“Ajo çka pamë sot është që qeveria e bëri një injorim dhe një anashkalim jashtëzakonisht të çuditshëm për faljen e borxheve në kohë pandemi. Nëse e shohim debatin sot ishte kulminacioni i një shtrembërimi dhe bishtërimi”, ka thënë tahiri.
Sipas tij, qeveria kundërligjshëm ka paguar mbi 11 milionë euro në veri dhe nuk është duke mbështetur taksapaguesit e rregullt të Kosovës.
“Kundërligjshëm janë paguar mbi 11 milion euro në veri, e nuk u mbështetën taksapaguesit e rregullt të Kosovës. Gjendja në të cilën jemi sot është e jashtëzakonshme. Reflektimi i qeverisë duhet të jetë i tillë”, tha ndër të tjera ai.
Tahiri po ashtu se AAK-ja do të nis iniciativë legjislative për faljen e borxheve.
“Si AAK ne nuk do të ndalemi në adresimin e kësaj çështje, kushdo që i bashkohet iniciativës sonë do të nisim nismën legjislative për faljen e borxheve. Ajo që pamë sot është mashtrim dhe vetëm po thellohet”, ka thënë ndër të tjera Tahiri.