Kryeministri Kurti gjatë ditës ka takuar komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, Admiralin Stuart Munsch.
Lidhur me takimin nga Qeveria kanë dhënë detaje.
Siç thuhet në njoftim, në takimin Kurti,Munsch, u diskutua për zhvillimet në rajon por dhe rreth situatës së sigurisë në përgjithësi, ndërsa nuk përmendet fare çështja e hapjes së Urës së Ibrit.
”Përgjatë bashkëbisedimit, diskutuan rreth zhvillimeve në vend e rajon dhe rreth situatës së sigurisë në përgjithësi. Duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve tona të sigurisë e mbrojtjes me misionin e KFOR-it në Kosovë, Kryeministri Kurti shprehu gatishmërinë e vullnetin për bashkëpunim e komunikim të vazhdueshëm, në sajë të punës së përbashkët e në shërbim të paqes dhe sigurisë paralelisht me sundimin e ligjit dhe rendit”.
”Gjithashtu nënvizoi se shuma e përgjithshme e buxhetit të alokuar për mbrojtje në 2023-tën tejkalon nivelin prej 200 milionë euro, apo mbi 2% të Bruto Produktit Vendor, kriter ky për shtetet anëtare të NATO-s, kryeministri nënvizoi synimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në NATO. Kryeministri Kurti e falënderoi Admiralin Munsch për takimin dhe bisedën, si dhe kontributin pozitiv të KFOR-it dhe NATO-s”, thuhet në njoftimin e qeverisë. /Gazeta Enigma