Takimi i Kurtit me liderët politikë përfundon pa marrëveshje – opozita e quan farsë, VV flet për dy kompromise të refuzuara

Takimi i Kurtit me liderët politikë përfundon pa marrëveshje – opozita e quan farsë, VV flet për dy kompromise të refuzuara

Pas më shumë se dy orësh diskutime, takimi i thirrur nga kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me liderët e partive parlamentare për të dalë nga ngërçi institucional, përfundoi pa ndonjë marrëveshje konkrete. Përfaqësuesit e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, dolën nga takimi me kritika ndaj Kurtit dhe Vetëvendosjes, duke e quajtur këtë takim një farsë dhe pa asnjë vullnet real për kompromis.

Albin Kurti, pas takimit, deklaroi se VV-ja si fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit kishte ofruar dy opsione kompromisi, por ato ishin refuzuar nga opozita. Ai theksoi se partia e tij ka përgjegjësi për formimin e qeverisë, por formimi i Kuvendit është përgjegjësi e përbashkët, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Propozimet e kompromisit”, siç i ka quajtur Kurti, kanë të bëjnë me votimin e fshehtë dhe votimin në pako të kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve.

“Kompromisi i parë ishte që në rast të votimit të fshehtë nëse Haxhiu nuk i merr 61 vota, siç tha edhe vetë Haxhiu dje, tërhiqet nga kandidatura. Këtë e ka bërë njëanshëm, por unë e respektoj si qëndrim i saj personal. Me votim të fshehtë për Haxhiun do të votohet pra vetëm një herë. Ne kemi lëvizur në situatën para së enjtes, por kjo nuk duhet se u kishte bërë përshtypje partive opozitare. Kompromisi i dytë që ua shpreha ishte që le ta bëjmë një marrëveshje politike e që është marrëveshje në paketë për kryetarin dhe nënkryetarët dhe pastaj nëse kurqysh nuk e duan votimin e fshehtë le ti delegojnë përfaqësuesit e tyre në këtë komision dhe ta rrëzojnë me votë këtë komision. Ne e dimë që partitë opozitare kanë treguar preferenca për emrat për kryeparlamentar, por kjo nuk është mënyra si ndërtohen shëndetshëm institucionet. Ne i bëmë këto dy kompromise që u refuzuan, por megjithatë takimi ia ka vlejtur sepse u sqaruan shumë gjëra, e një nga to që është e çutishme dhe brengosëse, është që për bindjen time të fuqishme partitë opozitare, PDK dhe LDK e kanë keqlexuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe po e keqinterpretojnë atë publikisht”, tha Kurti.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, e cilësoi interpretimin e Kurtit si “të çuditshëm” dhe theksoi se VV po e përdor një procedurë të diskutueshme përmes komisionit për votim të fshehtë. Ai tha se takimi konfirmoi se Kurti nuk ka shumicë dhe se bllokada është pasojë e qasjes së tij.

“Unë sot nuk do të bëjë interpretime të aktjykimit të Kushtetueses.  Ishte shqetësuese që zoti Kurti kishte një interpretim të çuditshëm të aktgjykimit, sipas tij nuk kishte asnjë problem, as me propozimin arbitrar për komisionin për votimin e fshehtë, as me mënyrën si është mbajtë seanca. Duket se vazhdojnë me jetu në imagjinatën e tyre. E vërteta është se kaq shumë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve jemi në bllokadë politike të imponuar nga Kurti dhe partia e tij. Ne i kërkuam që nesër të mos vazhdojnë me votimin e fshehtë, por kjo duket se nuk do të ndodhë”, tha Krasniqi para mediave.

Edhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, u shpreh i zhgënjyer, duke e cilësuar takimin si farsë. Ai tha se qëndrimet e Kurtit nuk kishin ndryshuar, pavarësisht aktgjykimit të Kushtetueses, dhe se kërkesat e VV-së mbetën të njëjtat: votim i fshehtë ose rrëzim i komisionit që e mbikëqyr këtë proces, gjë që LDK e refuzon.

“Morëm pjesë me vullnetin më të mirë për zgjidhje.Fatkeqësisht droja jonë u vërtetua. Qëndrimet e Kurtit ishin pak a shumë të njëjta siç kanë qenë deri më tani dhe nuk e respektonin as interpretonin njejtë vendimin e Kushtetueses. Për LDK-në është evidente që përgjegjësia për krijimin e shumicës i takon Kurtit. Ai pranoi që ska shumicë, por kërkoi kushtëzime në pozicionet paraprake që i ka pasur deri më tani. Ato kushtëzime janë që të votohet fshehtë, ose të rrëzohet votimi i fshetë duke u votuar zonja Haxhiu sërish”, tha Abdixhiku.

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, tha se partia e saj kishte marrë pjesë me shpresë për një zgjidhje, por VV nuk pranoi asnjë propozim për konsensus. Sipas saj, procedura aktuale është e paligjshme dhe bie ndesh me praktikat e mëparshme parlamentare. Ajo bëri thirrje që votimi të jetë i hapur dhe që të mos përzihet zgjedhja e kryetarit të Kuvendit me atë të nënkryetarëve në një proces të vetëm.

E kreu i Nismës, Fatmir Limaj u shpreh se as ndryshimi i mënyrës së votimit nuk e zgjidh krizën politike, sepse partia e parë nuk i ka numrat, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“Sot ky takim më tepër ka shkruar rreth qasjeve dhe kënvështrimeve se si e shohin aktgjykimin, dhe më pak është folur për krizën politike. Ata që kanë pritur se akt do të zgjidhë krizën politike, nuk e njohin mirë sistemin kushtetues. Takimi për mendimin tim, është gjë e mirë që ka ndodhur. Presim të ndodhin edhe takime tjera. I pari është gjithmonë më i vështirë. Edhe me ndryshu mënyra e votimit, nuk e zgjidh krizën politike sepse partia e parë nuk e ka shumicën parlamentar”, tha Limaj.

Related Articles