Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, nga Mitrovica e Veriut ku po qëndron për vizitë, tha se dëshiron të përçojë mesazhe të paqes, stabilitetit dhe tolerancës.
Ajo tha se autoritetet nga Serbia, përfshirë presidentin Aleksandar Vuçiq, do të jenë gjithmonë me komunitetin serb në Kosovë dhe shtoi se është e lumtur që ndodhet në Kosovë “në një moment kaq të vështirë”.
“Jam e lumtur që edhe pas provokimeve të fundit, të 31 korrikut, arritëm ta ruajmë paqen. Interes i Republikës së Serbisë dhe popullit serb është paqja dhe stabiliteti”, tha Bërnabiq.
Kryeministrja e Serbisë shtoi se vendi i saj do të vazhdojë të luftojë për popullin serb në Kosovë, në mënyrë që përmirësimi i kushteve të jetesës të shihet në terren.
Ajo theksoi se tani është koha për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe tha se një gjë të tillë do ta përsërisë kudo që të shkojë – nga Mitrovica në Bruksel e Pekin.
“Në këtë do të vazhdojmë të këmbëngulim çdo ditë”, tha Bërnabiq.
Bërnabiq arriti paraditen e së hënës në Mitrovicë të Veriut, ku u prit nga përfaqësues të Listës Serbe – subjektit më të madh politik të serbëve të Kosovës – si dhe nga përfaqësues të institucioneve që punojnë në sistemin e Serbisë.
Paraprakisht u mblodhën edhe punonjës të institucioneve që financohen nga buxheti i shtetit serb. Ata mbanin në duar pankarta me fjalë përkrahëse, të tilla si: “Derisa e kemi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Anën tonë, ne nuk i druhemi asgjëje”.
Kjo është vizita e parë e Bërnabiqit në Kosovë prej se është zgjedhur kryetare e Qeverisë serbe, në vitin 2017.
Gjatë qëndrimit njëditor, ajo do të vizitojë komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan dhe Leposaviq – ku popullata shumicë është serbe.
Më 2 shtator, autoritetet e Kosovës lejuan vizitën e saj, në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit për vizitat e ndërsjella të zyrtarëve politikë.
Në delegacionin e Bërnabiqit është edhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, dhe drejtori i Zyrës për Teknologji informative dhe e-Qeverisje, Mihaillo Jovanoviq.
Më herët, Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë tha se kjo vizitë është “domethënëse dhe e rëndësishme” dhe se qëllim i saj është ruajtja e paqes dhe stabilitetit.
Vizita e Bërnabiqit në komunat veriore të Kosovës vjen pasi Prishtina dhe Beogradi ranë dakord për shfuqizimin e dokumenteve hyrëse-dalëse, të cilat Serbia ua lëshonte qytetarëve të Kosovës qysh në vitin 2011.