Drejtori sportiv shqiptar i Lazios, Igli Tare ekskluzivisht për Insportin ka konfirmuar se Vedat Muriqi do të mbetet futbollist i Lazios dhe se nuk do të largohet në ditën e fundit të afatit kalimtar të verës.
Igli Tare në një intervistë për Insportin, ka thënë se Muriqi do të mbetet 100 për qind futbolist i Lazios dhe se është në planet e klubit për sezonin e ri që tashmë ka filluar.
“Jo, Muriqi do të mbetet futbollist i Lazios”, ka thënë Tare.
Gjatë ditëve të verës disa medie të ndryshme kanë raportuar se Muriqi do të kthehet në Fenerbahce, por që asnsnjëherë nuk ka pasur diçka të vërtetë.
Muriqi verën e kaluar është transferuar në Lazio nga Fenerbahce për shumën e 20 milionë eurove.
Reprezentuesi shqiptar i Kosovës nuk ka arritur të bëjë vend në formacionin titullar edhe në këtë sezon të ri të Serie A.
Megjithatë, drejtuesit e Lazios me trajnerin Mauricio Sarri kanë vendosur ta mbajnë Muriqin.
Nga Lazio është larguar sulmuesi argjentinas, Joaquin Correa në drejtim të Interit dhe po ashtu pritet që të largohet edhe sulmuesi tjetër, Felipe Caicedo.
Sot, 31 gusht, në orën 00:00 do të përfundojë afati kalimtar i transferimeve.