“Të gjitha palët duhet të përmbahen nga hapat e njëanshëm”

“Të gjitha palët duhet të përmbahen nga hapat e njëanshëm”

Bashkimi Evropian (BE) ka kërkuar nga të dyjat palët e përfshira në dialog si të Kosovës dhe të Serbisë që të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara.

Për Klankosova.tv, një zëdhënës i BE-së e ka ripërsëritur edhe një herë qëndrimin për hapjen e qarkullimit për automjete të Urës së Ibrit, duke thënë se kjo çështje do të bëhet pjesë e agjendës së takimit të ardhshëm të dialogut.

“Të gjitha palët duhet të përmbahen nga hapat e njëanshëm dhe të pakoordinuar që rrisin më tej tensionet”.

“BE planifikon të vendosë statusin e urës në agjendën e takimit të ardhshëm të dialogut”, është deklaruar ky zëdhënës i BE-së.

Më tej, i njëjti ka shtuar se për ditën dhe kohën e takimit do të jenë të njoftuara si çdo herë të gjitha palët.

Edhe më parë përfaqësues të BE-së u deklaruan kundër hapjes së Urës së Ibrit për qarkullim për automjete. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ditë më parë kishte thënë se miqtë e Kosovës (Bashkimi Evropian, Quint-i), shkuan te kryeministri Albin Kurti dhe i thanë: “Mos e bëj këtë, mos bëj lëvizje të njëanshme, mos e hap urën”.

“Por ai duket i vendosur ta bëjë këtë. Prandaj thamë, ‘jo, do të ketë efekte shumë negative’. Kërkojmë nga autoritetet të parandalojnë dhe shmangin hapat që do të çojnë në konfrontime dhe përshkallëzim më të madh. Sepse i lëndon njerëzit në terren dhe ju dhemb edhe juve, sepse Kosova është nën masat e BE-së dhe nën disa masa të ShBA-së për shkak të ndërmarrjes së përsëritur dhe të provuar të lëvizjeve që çojnë në përshkallëzim. Nuk i ndihmon askujt, përkundrazi, ndikon shumë negativisht te një numër i madh njerëzish”, tha Stano.

Ndërsa, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka deklaruar se po presin që gjatë ditës të publikohet draft-raporti për stabilitetin e Urës së Ibrit.

Ai për KosovaPress, thotë se ura është stabile, megjithatë shton se po presin vlerësimin që po bëhet në mënyrë shkencore.

Durmishi nuk ka ofruar detaje të mëtejshme për hapat që do të ndërmerren pas publikimit të raportit, në rast se do të jetë pozitiv. 

Related Articles