Kuvendi i Kosovës do të mbajë të shtunën seancë të jashtëzakonshme, ku do të diskutohet lidhur me synimet e Serbisë për të mbajtur referendum kushtetues në Kosovë.
Seanca është thirrur pas kërkesës së kryeministrit Albin Kurti drejtuar kryeparlamentarit Glauk Konjufca.
“Diskutim në lidhje me synimet e Serbisë për të mbajtur referendum kushtetues në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Përmes një komunikate për media, Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se në seancë do të synohet të nxirret një rezolutë e përbashkët ku shprehet vullneti i deputetëve për mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i është drejtuar Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, me kërkesë për Seancë të jashtëzakonshme të Kuvendi/ Në përputhje me nenin 69 paragrafi 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 38 paragrafi 2b të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryeministri Kurti i është drejtuar Kuvendit me kërkesë për Seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, për nesër, e shtunë, me datë 15 janar 2022, në orën 14:00″
“Në rend të ditës së kësaj seance të jashtëzakonshme është diskutimi në lidhje me synimin e Serbisë për të mbajtur referendum kushtetues në territorin e Republikës së Kosovës. Diskutimi nga kjo seancë ka për qëllim të nxjerrë një rezolutë të përbashkët, në të cilën shprehet vullneti politik i deputetëve dhe grupeve parlamentare dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, mbi çështjen e lartshënuar”, thuhet në komunikatë.
BE-ja dhe shtetet e QUINT-it po kërkojnë nga kryeministri Kurti që të lejojë votimin e serbëve të Kosovës për referendumin që do të mbahet në Serbi të dielën bazuar në praktikat e më hershme të votimit, ku OSBE-ja ka mbledhur votat. /Gazeta “Enigma”/