23 vjetori i Masakrës së Reçakut – Mizoritë e serbëve ndaj 45 shqiptarëve

23 vjetori i Masakrës së Reçakut – Mizoritë e serbëve ndaj 45 shqiptarëve

Kanë kaluar 23 vite nga Masakra e Reçakut kur forcat ushtarake serbe vranë e masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur, në mesin e të cilëve ishte edhe një grua, e këtë ngjarje ende e kanë të freskët personat që i mbijetuan kësaj ngjarje të ’99-ës.



Shkruan: Krenare SYLEJMANI

I mbijetuari nga lufta e vitit 1999 në fshatin Reçak të Komunë së Shtimes, Ramë Shabani, rrëfen se akoma i ka të freskëta të shtënat e para të armëve në këtë fshatë nga paramilitarët serbë.

“Më e 15 janar të vitit 1999, në orët e hershme të mëngjesit, i kam dëgjuar të shtënat e para nga armët e zjarrit. Jemi mbledhur në shtëpi, pa mbrojtje pa asgjë, kam qenë me nënën me babain dhe me vajzën time shtatë vjeçare, por me neve kanë qenë edhe 30 gra me fëmijë, e 29 burra kanë qenë të masakruar”, kishte thënë Shabani për Gazetën “Enigma”.

I mbijetuari nga lufta e vitit 1999 në fshatin Reçak të Komunë së Shtimes, Ramë Shabani

Shabani tregon se në vendin ku ishin dërguar nga serbët, mbeti i vrarë edhe vëllai dhe 11 kushërirë të tij duke theksuar se në vendin ku ishin marrë nga serbët, fillimisht i kishin rrahur pastaj i kishin qit në pushkatim.

“Deri në mbrëmje kam qëndruar si i vdekur në mesin e viktimave të masakrës së Reçakut, fati ka dashtë që unë të shpëtoj dhe sot të jem dëshmitar i gjenocidit nga shteti i Serbisë”, rrëfen ai.

Masakra e Reçakut

Çka ndodhi me 15 janar 1999 sipas dëshmitarëve që i mbijetuan krimit

Në orët e hershme të mëngjesit të datës 15 janar 1999, ashtu siç ishte planifikuar në Beograd, fshati Reçak u zgjua i rrethuar nga formacionet e policisë speciale, ushtarake dhe paraushtarake serbe të shoqëruar edhe me mjete të shumta të motorizuara.

Sipas dëshmitarëve që kanë mbijetuar krimin, aty rreth orës 6:30 minuta forcat serbe me artileri të rëndë kishin filluar të granatojnë fshatin, prej vendeve të quajtura „Pishat“, „Gështenjat“, „Rrasa e Çallakut“ dhe nga „Çesta“ përmbi Reçak.

Pas ndërprerjes së granatimeve forcat kriminale serbe ishin futur në fshat dhe kishin filluar bastisjet shtëpi për shtëpi.

Në ato momente mjaftë të rënda, fshatarët ishin përpjekur të largohen nga fshati apo të gjenin një vendstrehim më të sigurt, por rrethimi i hekurt e kishte bërë të pamundur një gjë të tillë.

Forcat policore serbe që ishin futur përmes rrugës kryesore të fshatit kishin arrestuar në oborrin e shtëpisë (afër xhamisë) Banush Kamberin, ndërsa familja e tij pak kohë më herët kishte braktisur shtëpinë.

Forcat kriminale, Banushin pasi e maltretojnë fizikisht e ekzekutojnë me rafale automatiku në oborrin e fqiut të tij Rashit Rashiti.

Por nuk përfundoj me kaq, pas ekzekutimit të Banushit ia këpusin edhe kokën, e cila nuk është gjetur dot në vendin e krimit.

Formacionet kriminale, në të cilat janë radhitur edhe serbët lokalë, në këtë operacion shfarosës nuk kishin lanë vend në fshat pa kontrolluar, djegur e shkatërruar.

Drama me e tmerrshme në këtë ditë, për banorët e Reçakut ishte zhvillua në shtëpinë e Sadik Osmanit.

Qysh në orët e para të mëngjesit ishin tubuar shumë familje në podrumin e shtëpisë dhe në ahurin e lopëve të tij për t´u mbrojtur nga granatimet e artilerisë së rëndë.

Kriminelët pasi kishin hetuar strehimin e banorëve të fshatit në këtë shtëpi, fillimisht nga largësia prej shtëpisë së Ragip Bajramit dhe shitores së Lutës (siç e quajn fshatarët) gjuajnë me armë të kalibreve të ndryshme dhe në këtë moment vrasin plakun Nazmi Nuha dhe më pastaj hidhen në sulm, rrethojnë shtëpinë e Sadikut dhe futen në oborr.

Sipas dëshmitarëve që kanë mbetur gjallë, kriminelët serbë pasi i kanë legjitimuar burrat e zënë, i kanë shtri për toke dhe kanë filluar t´i rrahin mizorisht duke përdorur kondakët e armëve, shqelmat, dru, zinxhirë dhe gjësende tjera të forta.

Gjatë rrahjeve në oborrin e Sadikut, dëgjohej gjëma dhe britmat e burrave, ndërsa në bodrum qanin gratë e fëmijtë e mbyllur në çelës.

Pas kësaj drame tmerruese, kriminelët sipas skenarit të përgatitur më herët kalojnë në fazën e dytë të veprimit.

Dëshmitarët gjatë rrahjeve brutale në oborrin e shtëpisë së Sadik Osmanit kishin dëgjuar një komunikim me radiolidhje të drejtuesve të këtij operacioni.

Pas një orë e gjysmë rrahjesh për vdekje, dikur në mesditë, këta burra i marrin dhe në rresht (kolon) për një i nisin në drejtim të malit dhe te ”Gropa e Bebushit” ndalohen nga njësitë tjera kriminale serbe, me të cilët pak kohë më parë nga oborri i Sadikut ishte biseduar në radiolidhje.

Pikërisht në rrugicën e “Gropës së Bebushit” ashtu siç kanë qenë duke ecur në kolonë, njësitë kriminale serbe me rafale automatiku nga afër i ekzekutojnë pamëshirshëm 24 burra, ndërsa me këtë rast (meqë ishin të fundit në kolonë) arrijnë të shpëtojnë: Ramë Shabani, Bilall Bilalli, Nesret Shabani, Ali Qazimi dhe Imer Imeri.

Dëshmia nga misioni i OSBE’së i hapi rrugën bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe

Ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë, William Walker, ishte personi i parë i cili kishte filluar të denonconte krimet serbe në Kosovë.

Denoncimet e tij të vazhdueshme se popullsia në Kosovë po vritej nga serbët i hapi rrugën bombardimeve të Natos në Serbi.

Një ditë pas kryerjes së masakrës, më 16 janar rreth orës 13:30, Walker ndodhej në Reçak për të parë atë që kishte ndodhur vetëm një ditë më parë.

Walker pasi vizitoi fshatin ishte ngjitur lartë te “Gropa e Bebushit” dhe pasi po i afrohej luginës së ngushtë ishte tmerrua kur kishte parë kufomat e tre meshkujve të moshuar.

“Për nga pamja duket si ekzekutim. Duket se njerëzit pa kurrfarë vlere për jetët e njerëzve kanë vrarë këta njerëz, që mua me duken si bujq, si punëtorë, si fshatarë, që definitivisht nuk kanë merituar të vdesin kështu”, kishte deklaruar Walker.

Më pas ai kishte vazhduar rrugën drejt luginës së vdekjes, ku po qëndronin të shtrirë kufomat tjera të civilëve të ekezekutuar.

Ai kishte shtuar se, “T´i shohësh kufomat kështu me fytyra të shkatërruara, që si duket janë bërë nga armët që janë mbajtur afër kokave të tyre, t´i shohësh 15 në një gropë, dhe në një mënyrë të ekzekutuar, mendoj se më nevojiten disa minuta para se të përcaktohem se çka dua të them”.

 “Nga ajo që pashë nuk ngurroj të përshkruaj ndodhinë si masakër dhe krim kundër njerëzimit. Kjo është ngjarja më trishtuese në jetën time”, kishte thënë Walker për mediat e huaja.

Nsërkohë, bombardimi nga NATO, ishte operacioni ushtarak kundër Republikës Federale të Jugosllavisë gjatë luftës në Kosovë.

Sulmet ajrore kishin zgjatur nga 24 mars deri më 10 qershor 1999.

Sipas NATO-s, operacioni kërkonte të ndalojë abuzimet e të drejtave të njeriut në Kosovë.

Kjo ishte hera e parë që organizata kishte përdorur forcën ushtarake pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

 VIDEO

Serbia ende refuzon ta pranoj gjenocidin në Kosovë, fillon xhirimet e dokumentarit “Dosja e Kosovës”

Më 10 dhjetor të vitit 2021, ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, kishte vizituar ekipin i cili po xhironte film për ngjarjet në Reçak të janarit të vitit 1999, si pjesë e serisë së dokumentarëve “Dosja e Kosovës”.

“Reçaku është një gënjeshtër e madhe, një falsifikim i tmerrshëm, një ofendim për gjithë njerëzimin dhe tek të gjithë ata që e kanë treguar këtë gënjeshtër, por Reçaku është një mundësi për të treguar se si padrejtësisht ne jemi shkatërruar, vrarë dhe sa jemi dënuar për mëkate të popujve tjerë”, citohet të ketë thënë Vulin gjatë vizitës.

Aleksander Vulin në vendin e xhirmineve të dokumentarit për Masakrën e Reçakut

E lidhur më këtë kishte reaguar edhe zëdhënësi i përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Peter Stano.

“Ajo që ndodhi në Reçak të Kosovës dhe mizoritë e kryera atje në janar të vitit 1999 janë të dokumentuara mirë”, kishte nënvizuar Stano.

Kurse, ish-ambasadori I OSBE’së në Kosovë, William Walker i cili kishte dokumentuar krimet e kryera në këtë fshat, reagoi duke potencuar se përpjekja e zyrtarëve në Serbi për ta prezantuar masakrën e Reçakut si një ngjarje të trilluar, bëhet për shkak se disa zyrtarë aktual në Beograd kanë qenë të përfshirë në krime kundër popullatës civile në Kosovë.

“Mendoj se ndoshta Beogradi, të paktën Qeveria atje, beson se nëse e përsërisin vazhdimisht shprehjen ‘gënjeshtër e madhe’ për masakrën e Reçakut, do t’i bëjë disa njerëz të besojnë. Dhe, në ndonjë formë, ata shpresojnë se historia mund të rishkruhet. Unë vazhdoj të them se ngjarja në Reçak, ku unë isha dëshmitar dhe bota ishte dëshmitare, nuk është një gënjeshtër e madhe, por një e vërtetë e madhe”, kishte theksuar Walker.

Sipas, burimeve të Gazetës “Enigma”, personi që ka arritur të dokumentojnë luftën e vitit 1999 në Kosovë, ka filluar bisedimet lidhur me realizimin e një filmi për UCK-në dhe luftën në Kosovë.

Ndërsa, të shtunën në Kompleksin Memorial të Reçakut në përkujtim të 23-vjetorit të Masakrës së Reçakut do të bëjnë homazhe kryeministri, Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani dhe kryekuvendari, Glauk Konjufca.

Nga zyra e kryeministrisë kanë bërë të ditur se pjesë e homazheve do të jetë edhe ambasadori i ri amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier./Gazeta Enigma/

Related Articles