Te Ukraina besojnë se do ta luajnë play-off-in për Kampionatin Botëror

Te Ukraina besojnë se do ta luajnë play-off-in për Kampionatin Botëror

Përzgjedhësi i Ukrainës në futboll, Oleksandr Petrakov, insiston se përgatitjet për ndeshjen e plejofit për Kampionatin Botëror “Katari 2022”, do të vazhdojnë sipas planifikimit.

Ukraina muajin e ardhshëm duhet të luajë në udhëtim te Skocia në gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në Botërorin që mbahet në fund të këtij viti.

Kjo ndeshje është e paraparë të zhvillohet më 24 mars në stadiumin “Hampden Park” të Glasgowit. Ukraina është sulmuar të enjten nga Rusia dhe gjendja është kaotike. Qeveria e Ukrainës ka vendosur ligjin ushtarak dhe ka ndalur futbollin për një muaj, duke vënë në dyshim serioz ndeshjen e plejofit. Megjithatë, Petrakov është i bindur se përballja me Skocinë do të zhvillohet pasi Ukraina do të shënojë “fitore të shpejtë” në luftën kundër Rusisë.

Petrakov ka treguar se situata nuk është e mirë në Ukrainë, por ka thënë se futbollistët janë njoftuar që përgatitjet do të shkojnë sipas planit. “Në këtë kohë të vështirë të gjithë duhet të jemi të bashkuar, të përkrahim njëri-tjetrin dhe të besojmë në ushtrinë dhe shtetin tonë. Ne jemi në tokën tonë ukrainase dhe nuk kemi nevojë të frikësohemi prej askujt. Jam 64-vjeçar dhe tërë jetën time kam jetuar në Kiev, ku jam edhe tani pasi nuk e kam ndërmend të largohem. Jam i gatshëm ta ndihmoj shtetin tim me të gjitha mundësitë që i kam”, është shprehur Petrakov. “Në momente të tilla sporti bie në plan të dytë, por unë jam i bindur se pas fitores tonë të shpejtë do të vazhdojmë përgatitjet për ndeshjet vendimtare që na presin në plejofin e Kampionatit Botëror. Ne do të jemi gati për këto ndeshje dhe me krenari e prezantojmë shtetin tonë në fushë. Nuk do të dorëzohemi”.

Kampionati i futbollit në Ukrainë nuk do të fillojë këtë vikend, pas pushimit të dimrit. Nuk dihet se kur do të rifillojnë garat. Ndërkohë, Federata e Futbollit të Ukrainës ka thënë se nuk do të ketë aktivitete futbolli në vend deri dy ditë pas ndeshjes së planifikuar me Skocinë.

16 prej futbollistëve të përzgjedhësit Petrakov luajnë në kampionatin ukrainas. Ndërsa, nëntë prej tyre janë pjesë e skuadrës së Dynamo Kievit. “Kam folur me futbollistët dhe ata janë zotuar se do të vazhdojnë normalisht me përgatitjet për ndeshjen e rëndësishme që na pret në fund të muajit të ardhshëm”, është shprehur Petrakov.

Në rast se Ukraina e luan dhe fiton ndeshjen në Skoci, atëherë në finale të plejofit do të përballet me fituesin e gjysmëfinales tjetër ndërmjet Uellsit dhe Austrisë.

Përfaqësuesja e Ukrainës përfundoi e dyta në Grupin D kualifikues për Botërorin “Katari 2022”. Në tetë ndeshje të luajtura në këtë cikël eliminator Ukraina tuboi 12 pikë. Ndërkohë, Franca ishte e para me 18 pikë dhe u kualifikua direkt për Botëror. Pozita e dytë në grup Ukrainës ia mundësoi ndeshjet e plejofit.

Related Articles