Tenderi për renovimin e Stadiumit në Gjilan kthehet në pikën zero

Tenderi për renovimin e Stadiumit në Gjilan kthehet në pikën zero

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) ka vendosur të rikthejë në pikën zero procesin e tenderit për renovimin e Stadiumit të Qytetit në Gjilan.

Ky vendim është marrë pas një ankese të bërë nga një operator ekonomik, i cili ka konkurruar në këtë tender.

“Anulohet, aktiviteti i prokurimit “Renovimi i Stadiumit të Qytetit të Gjilanit”, me numër të prokurimit 651-23-13546-5-1-1, iniciuar nga autoriteti kontraktues (AK) – Komuna Gjilan, i njëjti mund të Ritenderohet”, thuhet në vendimin e OShP-së.

|Në afat prej 10 ditësh, AK duhet ta informojë OSHP-në për të gjitha veprimet e ndërmarra lidhur me këtë aktivitet të prokurimit, në të kundërtën për mosrespektim të vendimit, OSHP mund të ndërmarrë masa ndaj AK, sikurse parashihet me dispozitat e nenit 131 të Ligjit për Prokurim Publik në Kosovë”, është thënë tutje në vendim.

“Andaj paneli shqyrtues duke i pasur parasysh rekomandimet dhe sqarimet e dhëna nga eksperti shqyrtues deklaron se ekzaminimi vlerësimi i tenderit nuk është bërë në harmoni me nenin 59 të LPP-së andaj edhe AK duhet të anuloj aktivitetin e prokurimit dhe të njëjtin nëse ka interes ta ritenderoj”.

Një vendim i tillë nuk është diçka e re për dy tifozëritë e qytetit, “Intelektualët” dhe “Skifterat”, pasi që edhe disa herë më herët tenderi është kthyer në pikën zero. /Gazeta Enigma

Related Articles