Në orët e mëngjesit të sotëm, ka ndodhur një tentim vrasje të “Përroi i Njelmët”, në Prishtinë, ku një person është gjuajtur me kallashnikov derisa ishte në veturën e tij.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se personi që u sulmua është sigurim i “Zone Club”, i cili ka pësuar plagë për shkak të sulmit me armë.
Siç mësohet, viktima se dyshon se u gjuajt me armë nga një person të cilin s’e kishte lejuar të hyjë në diskotekë gjatë ditës së djeshme.
Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, me ç’rast viktima është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim, ndërkohë që zyrtarët policorë kanë gjetur disa gëzhoja të kallashnikovit.
Përveç lëndimeve që ka pësuar viktima, edhe në automjetin e tij janë shkaktuar dëme nga sulmi me armë.
Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të iniciohet rasti “tentim vrasje” dhe të nisin hetimet për identifikimin e të dyshuarit dhe arrestimin e tij.