Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një muaj të pandehurit, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer tri vepra penale.
“Me datë 10 gusht 2021, rreth orës 19:10 në Gjakovë, me dashje tenton që të privoi nga jeta të dëmtuarin A. N., ku nga këto te shtëna plagoset edhe i dëmtuari L. U., i cili në atë moment ishte si kalimtar i rastit”, thuhet në komunikatë.
Sipas komunikatës, “me këto veprime i pandehurit S. P., dyshohet të ketë kryer veprat penale “Vrasja” e mbetur ne tentativë, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, vepra këto te sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”.
Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda Drilon Haraçia, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi caktimi i masave tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.