Idriz Alija është dënuar me 11 vjet burgim, pasi është shpallur fajtor për vrasje të rëndë në tentativë ndaj gruas me të cilën bashkëjetonte, Sh.T.
Aktgjykimi ndaj tij është shpallur të martën nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për tri vepra penale, atë të vrasjes së rëndë në tentativë, për armëmbajtje pa leje dhe për mospërfillje të gjykatës.
Në dispozitivin e parë të aktakuzës thuhet se më 6 gusht 2024, rreth orës 07:33, i pandehuri Idriz Alija në rrugën e “Pejës”, afër semaforëve në fshatin Bresje të Fushë-Kosovës, për shkak të mosmarrëveshjeve paraprake dhe raportimit të dy rasteve tjera të dhunës në familje, me qëllim tenton ta privojë nga jeta anëtarin e familjes, të dëmtuarën Sh.T., me të cilën ka bashkëjetuar.
Sipas aktakuzës, e dëmtuara ishte me djalin e saj, duke ecur në rrugë, i ka përcjellë nga mbrapa.
Aty thuhet se posa të dëmtuarit kalojnë vendkalimin për këmbësorë, i pandehuri përshpejton hapat, e nxjerr armën nga brezi, me dy duart e repetit, vrapon pas tyre nga mbrapa, në mënyrë dinake nga afërsia shkrep me armë zjarri në trupin e të dëmtuarës, pastaj e godet me duar në fytyrë e cila rrëzohet në tokë.
Në aktakuzë thuhet se pas këtij veprimi të të akuzuarit, dy qytetarë të rastit me forcë arrijnë t’ia largojnë armën e zjarrit, duke e hedhur atë në trotuar dhe e shtrijnë për toke, ku më pas të njëjtin policia e arreston.
