Besimtarët myslimanë në Kosovë po festojnë sot (e mërkurë) ditën e parë të Kurban Bajramit. Manifestimi qendror për këtë festë në vend u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë prej ku u bë thirrje për paqe, siguri dhe harmoni brenda familjes dhe shtetit në përgjithësi.
Në mesazhin e tij me rastin e faljes së Kurban Bajramit, Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, foli për sigurinë në vend, për shkak të tensioneve në komunat në veri të vendit.
Ai apeloi Qeverinë e Kosovës dhe bashkësinë ndërkombëtare që të angazhohen edhe më shumë në shtensionim të situatës, përmes dialogut.
Myftiu Tërnava tha po ashtu se harmonia brenda familjes është thelbi i një shoqërie të shëndoshë.
Tërnava theksoi se stabilitetin dhe funksionalitetin e një shoqërie më së shumti e kërcënojnë veprat e këqija dhe dhuna në të gjitha llojet e tyre.
Tradhtia bashkëshortore, bixhozi dhe alkooli, dhe përdorimi i substancave narkotike, sipas tij e dëmtojnë më së shumti shoqërinë.
Duke folur për rëndësinë që paqja ka në islam, Tërnava theksoi se të gjitha llojet e dhunës janë në kundërshtim me parimet fesë islame, ndërsa më e rrezikshmja është ajo brenda familjes.
Ai nuk la pa përmendur as këtë herë ikjen e të rinjve nga vendi, derisa tha se problem tjetër është edhe asimilimi i shqiptarëve.
Çështje tjetër e ngutshme me të cilën duhet të merret Qeveria e Kosovës, Tërnava tha se duhet të jetë krijimi i kushteve që të rinjtë të mos largohen nga vendi.
Në Ditën e parë të Kurban Bajramit, ai theksoi rëndësinë e vizitës në Qabe, duke thënë se është obligim për ata që kanë mundësi.
Ai tha se në vendet e shenjta sot janë 1600 qytetarë nga Kosova, të cilët iu janë bashkangjitur lutjeve ndaj Zotit, për një të ardhme sa më të mirë për të gjithë njerëzit pa dallim.