Thaçit dhe Veselit i vazhdohet masa e paraburgimit nga Specialja

Thaçit dhe Veselit i vazhdohet masa e paraburgimit nga Specialja

Dhomat e Specializuara të Kosovës bëjnë të ditur se trupi gjykues ka vendosur që të vazhdojë masën e paraburgimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe Kadri Veselit.

Në konferencën e sotme për media u tha se trupi gjykues ka konstatuar se vazhdon të ekzistojë rreziku që Thaçi dhe Veseli të pengojnë ecurinë e procesit gjyqësor, ose të kryejnë vepra penale të tjera.

“Trupi Gjykues konstatoi gjithashtu se këto rreziqe mund të zvogëlohen mjaftueshëm përmes kornizës për monitorimin e komunikimeve që përdoret në objektin e paraburgimit të DHSK-së”.

“Duke qenë se si Thaçi, ashtu dhe Veseli, kanë qëndruar në paraburgim për një periudhë kohe të konsiderueshme, Trupit Gjykues dhe palëve u kërkohet të mbajnë parasysh nevojën që gjykimi të kryhet sa më shpejt që është e mundshme”, u tha në konferencë.

Seanca vijuese në këtë çështje gjyqësore Thaçi dhe të tjerët është caktuar të fillojë të hënën, më 1 maj, në orën 9:30. Seancat e gjykimit në këtë çështje do të vazhdojnë gjatë gjithë javës së ardhshme, nga 1 deri në 5 maj.

Ndryshe ky proces gjyqësor nisi dy vjet e gjysmë më vonë, pas mbajtjes në paraburgim në Hagë, të katër krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Aktakuza e ZPS-së, e ngritur më 30 shtator të vitit 2022, i ngarkon Thaçin, Krasniqin, Veselin e Selimin me akuzat për ndërmarrje të përbashkët kriminele, vepër kjo që, sipas prokurorisë, e kishte “qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën, nëpërmjet metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë”, në periudhën midis marsit të vitit 1998 e shtatorit të vitit 1999, në vende të ndryshme të Kosovës.

Related Articles