Ende nuk ka mbaruar asgjë në futbollin kosovar, pasi që nesër luhet edhe ndeshja e barazhit ndërmjet Vushtrrisë dhe Malishevës. Në një prononcim për Gazeta Metro trajneri i Malishevës, Arsim Thaqi ka folur rreth pritshmërive të tij për këtë duel, atmosferës në ekip dhe planeve për të ardhmen.
Me fillim nga ora 16:00 nesër në stadiumin ‘Zahir Pajaziti’ në Podujevë takohen Vushtrria dhe Malisheva në kuadër të sfidës ndoshta më të padëshiruar në Kosovës, atë të finales së barazhit.
Malisheva ishte një ndër skuadrat me lojën më të bukur sezonin që shkoi në Superligën e Kosovës, megjithatë në fund nuk arriti t’i shpëtoi barazhit. Trajner i Malishevës, Arsim Thaqi thotë se për ata do të jetë e rëndësishme të kalojnë këtë sfidë, mirëpo nuk është edhe tragjike që kanë përfunduar në barazh.
”Personalisht mendoj se është me rëndësi Malisheva të kaloj barazhin se në të kaluarën ka pasur edhe skuadra shumë të mëdha se Malisheva që kanë luajtur në barazh,” tha ai.
Malishevasit në xhiron e fundit kishin mundësinë ndaj Dukagjinit të shpëtojnë nga kjo sfidë jetike, mirëpo nuk arritën më shumë se një pikë. Sipas Thaqit atmosfera në skuadër është e mirë edhe përkundër këtij fakti dhe shpreson të vazhdoj kështu edhe ndaj Vushtrrisë.
”Atmosferën e kemi të mirë shpresoj të vazhdojmë edhe gjatë ndeshjes kundër Vushtrrisë, lojtarët që janë te Malisheva janë profesionista dhe besoj që do ta kalojmë këtë sfidë,” deklaroi ai.
Më tutje ai pati fjalë të mira edhe për skuadrën e drejtuar nga Samuel Nikaj, por mendon se dallimi mes tyre është dallimi i ligave, ku kanë garuar këtë sezon, ndërsa rreth të ardhmes së klubit theksoi se do të bisedojnë pas këtij takimi.
”Vushtrria gjithashtu ka një skuadër me përvojë, por mendoj se dallimin e bënë niveli i Ligës ku garojmë ne dhe se fitorja në këtë ndeshje dhe mbetja në Superligë e Malishevës do të jetë historike. Për planet tjera nuk kemi menduar ende, pasi që e përfundojmë këtë lojë duhet të mendojmë për të ardhmen,” përfundoi Thaqi për Metron.
Kujtojmë se Malisheva në elitën e futbollit kosovar sezonin e mbylli me 48 pikë në pozitën e tetë, me 45 gola të shënuara dhe 43 të pranuara.