Emri i Armend Thaqit u dëgjua në disa raste të enjten mbrëma në Prishtinë. Për paraqitjen e madhe në ndeshjen debutuese të Ballkanit në fazën grupore të Ligës së Konferencës nuk munguan as duartrokitjet e rreth 5.000 shikuesve në drejtim të mbrojtësit të krahut.
Ballkani e nisi me barazim fazën grupore të Ligës së Konferencës. Barazoi në stadiumin “Fadil Vokrri” me kampionin e Rumanisë, Clujin. Me golin e Armend Thaqit madje ishte pranë fitores. Por, në fund Ballkani pësoi një gol dhe ndeshja u mbyll baras, 1:1.
“Është goli më i ëmbël në karrierën time, pasi është goli i parë për mua në një fazë grupore në Evropë, për ekipin dhe gjithë futbollin e Kosovës. Thirrja e emrit tim nga gjithë ata shikues më ka bërë të ndihem shumë mirë. Falënderoj të gjithë pasi na kanë qëndruar afër”, ka theksuar Thaqi të premten për KOHËN.
Thaqi në fakt ishte pranë largimit nga Ballkani. Këtë e pranon edhe vetë. Tani po e udhëheq skuadrën nga Suhareka drejt sukseseve historike.
“Të gjitha diskutimet që unë mund të largohem nga Ballkani kanë qenë të vërteta, pasi një futbollist që është i lirë ka mundësi edhe të largohet. Por, këmbëngulja e presidentit Arsim Kabashi ka bërë që unë të qëndroj. Ka pasur interesim nga Drita dhe nga Gjilani, por nuk ka pasur diçka konkrete, sepse vetëm interesim ka qenë. Por, presidenti Kabashi insistoi që unë të mbetem te Ballkani”, ka treguar Thaqi.
Lojtari i krahut të djathtë ka qenë edhe sezonin e kaluar ndër më të mirët te Ballkani, që doli kampion për herë të parë në histori. Vazhdon të jetë ndër më të mirët.
“Ndihem i lodhur pasi kemi luajtur tri ndeshje të forta. Ndeshja me Prishtinën na ka lodhur shumë, pasi ka qenë një fushë e rënduar dhe me shi, por jemi në kulm të punës dhe besoj se do të rigjenerohemi për ndeshjet e ardhshme”, ka theksuar Thaqi.
Thaqi është i mërzitur për barazimin ndaj Clujit. Por ngul këmbë se paraqitja pozitive ndaj kampionit të Rumanisë do të shërbejë si motiv për ndeshjet e ardhshme.
“Barazimi në fund na ka zhgënjyer pak, pasi të gjithë vlerësuan se merituam fitoren. Por, ky është futbolli dhe duhet të pranojmë çdo rezultat. Paraqitja e mirë e gjithë ekipit na largon zhgënjimin e minutave të fundit, pasi kemi treguar se mund t’i dalim përballë çdo kundërshtari. Këtë e kemi treguar edhe në ndeshjet e kaluara në Evropë, por edhe ndaj Clujit. Paraqitja ndaj Clujit na jep besim se mund të bëjmë edhe më shumë sesa të paraqitemi në fazën grupore. Kemi edhe pesë ndeshje dhe duhet t’i zhvillojmë njëjtë siç kemi bërë të enjten mbrëma. Çdo pikë që do ta fitojmë, do të jetë e mirëseardhur për ne”.
Ballkani kishte posedimin e topit ndaj Clujit dhe për Thaqin ka domethënie të madhe kjo statistikë.
“Me atë që shfaqëm si ekip, por edhe individualisht, treguam se jemi më të mirë se kundërshtarët, por ndodhi ai shpërqendrim. Megjithatë ne nuk duhet ta ulim kokën. Ajo paraqitje na jep besim për diçka edhe më të madhe sesa paraqitja në fazën e grupeve”, thotë Thaqi.
Respektin që nuk e gëzoi si kapiten te Prishtina
Thaqi thotë se rruga deri te paraqitja për një klub të Kosovës në grupet e një gare të organizuar nga UEFA ka qenë i vështirë. Por, sakrifica e tij dhe shumë futbollistëve tjerë është shpërblyer.
“Të them se kam besuar në atë kohë se do ta arrij këtë nivel, këto gara, këto ndeshje, mund ta gënjejmë veten. Por futbollit nuk i dihet asnjëherë. Kam punuar maksimalisht në secilin klub ku kam qenë. Gjithmonë mundi dhe sakrifica shpërblehen. Puna gjithmonë shpërblehet, mund të vonoj pak, por sigurisht se pas punës vjen gjithnjë një e mirë”, ka thënë mbrojtësi nga Obiliqi. “Është një rrugëtim i vështirë, pasi futbolli nuk ka qenë i pranuar. Futbollin e kemi pasur vetëm si hobi, pasi nuk kemi ditur se çka vjen pas. Ka përfunduar sezoni, ke shkuar në pushim dhe nuk ka pasur të ardhme të sigurt. Por, pas pranimit gjërat ndryshuan. Ka ndryshuar aspekti financiar, qasja e ekipeve, puna është bërë më profesionale”.
Thaqi karrierë ka bërë edhe te Prishtina, KEK-u, Hajvalia e Gjilani.
“Pika e kthesës në karrierën time mund të them se është Hajvalia. Pasi atje kam kaluar 6 muaj në Superligë dhe nga aty kam vazhduar tutje deri këtu ku jam. I kam 29 vjet dhe mendoj se kemi mbetur pak vonë me pranimin dhe kam mbetur këtu, por asnjëherë nuk jam zhgënjyer dhe nuk do të zhgënjehem asnjëherë, pasi kam ende vite për të luajtur. Gjithçka vjen me punë. Jam familjar dhe e marr seriozisht punën. I kam bërë regjim vetes dhe vetëm kështu mund ta mbash nivelin. Duhet të lësh shumë gjëra anash për topin. Unë kam lënë anash gjithçka për këtë profesion. Do të vazhdoj me këtë mënyrë derisa të jem me futbollin”, ka deklaruar ai.
Thaqi në vitet e fundit ka qenë rregullisht në formacionin më të mirë të Superligës. Ai e ka fituar edhe epitetin e lojtarit më të mirë të Superligës së Kosovës.
Thaqi te Prishtina ishte në dy periudha. Së fundi ishte edhe kapiten. Por, ai thotë se nuk e ka pasur respektin siç duhet nga klubi “bardhekaltër”.
“Kam qenë kapiten i Prishtinës, por nuk e kam pasur respektin siç duhet, pasi shumë gjëra nuk kanë dalë siç kanë qenë fjalët. Por, ne duhet kuptuar se këtë profesion kemi dhe nga të ardhurat varet familja. Prandaj nëse nuk e gjej veten në Prishtinë, do ta gjej në Ballkan, Gjilan apo Dritë. Ka ekipe të tjera. Ballkani më ka ofruar kontratë të mirë, kushte të mira, gjë që e falënderoj presidentin Arsim Kabashi që na ka qëndruar prapa. Ndoshta Kabashi është çelësi i suksesit të Ballkanit dhe neve si futbollistë, pa përjashtuar asnjëherë punën e stafit të trajnerëve. Presidenti Kabashi është personi i vetëm që nuk është dorëzuar, na ka qëndruar pranë si në aspektin financiar ashtu edhe organizativ”, ka thënë Thaqi.
I gatshëm për Kosovën
Thaqi është i lumtur që është pjesë e Ballkanit. Nuk e mendon largimin.
“Jam shumë i lumtur pasi po shihen rezultatet. Jam i lumtur që besimin që kanë pasur po ua shpaguaj. Neve nuk na mbetet tjetër vetëm t’i kthejmë diçka presidentit Kabashi”.
Thaqi thotë se Ballkani do të luftojë sërish për ta fituar titullin e kampionit. Në tri ndeshjet e para ekipi nga Suhareka ka shënuar po aq fitore. Në fundjavë e luan derbin ndaj Dritës.
“Vetë qasja jonë në tri ndeshjet ku jemi futur me formacionin më të mirë tregon se synojmë të arrijmë sukssin e sezonit të kaluar. Personalisht motivin e kam të njëjtë si kundër Prishtinës ashtu edhe Clujit. Do ta japim maksimumin për ta fituar edhe ndeshjen kundër Dritës që e kemi të dielën. Ne jemi kampion dhe duhet ta dëshmojmë që e kemi fituar me meritë”, ka theksuar Thaqi.
Pas paraqitjeve të mira në vitet e fundit nuk ka munguar edhe ftesa nga Kosova. Ai që prej vitit 2017 ka luajtur pesë ndeshje. Pret të ftohet sërish.
“Nuk kam marrë ftesë ende, është federata ajo që vendos. Secili lojtar dëshiron ta veshë fanellën e vendit të vet, por është selektori ai që vendos se a meritojmë apo jo. Ne duhet të pajtohemi dhe ta përkrahim vendimin e tij”, ka thënë Thaqi.