Afrim Tovërlani është i nderuar që do ta drejtojë Kombëtaren U21 të Kosovës në futboll. Por, trajneri nga Prishtina uron që nëpërmjet rezultateve të mira me Shpresat e Kosovës në të ardhmen t’i besohet edhe udhëheqja e përfaqësueses A.
Tovërlani të enjten u paraqit për herë të parë para mediave si selektor i Kosovës U21.
“Kam luajtur për Kosovën dhe më erdhi koha të jem përzgjedhës i U21. Është një nder i madh për mua ta udhëheq Kosovën U21 dhe shpresoj ta kem fatin të vazhdoj edhe më lart”, ka thënë Tovërlani.
Tovërlani si përzgjedhës do të debutojë në ndeshjen miqësore kundër Grenlandës, gjatë grumbullimit dhjetëditor në Antalia të Turqisë. Grumbullimin në Turqi, por edhe grumbullimet e tjera Tovërlani thotë se do t’i shfrytëzojë për të formuar ekipin me të cilin do të paraqitet në kualifikimet për Evropian që nisin vitin e ardhshëm. Shorti do të tërhiqet në dhjetor.
Tovërlani publikoi një listë të lojtarëve për grumbullimin në Turqi.
“Është një listë, por nuk do të thotë se do të jetë e njëjtë edhe në nëntor, kur edhe do ta kemi takimin e radhës, para se në dhjetor të tërhiqet shorti për kualifikimet e evropianit të ardhshëm. Do të tentojmë të kemi edhe një takim tjetër të njëjtë në janar. Shpresoj të kemi edhe fat në short. Gjithçka do të vendoset në takimin e dytë. Pres përkrahje, jo personalisht për mua, por për Kosovën. Synimet do të jenë më tepër pas grumbullimeve, për ta parë se çfarë skuadre mund të krijojmë dhe do të varet edhe nga shorti. Synimet e secilit trajner janë rezultatet e mira dhe kualifikimi. Por, do të nis me modesti dhe gjatë rrugës të shohim se cilat mund të jenë objektiva të arritshme”, ka theksuar Tovërlani.
Tovërlani nuk foli gjatë për Grenlandën, që nuk është pjesë e FIFA-s. Ai më shumë u ndal në pjesën e organizimit të ekipit me të cilin do të paraqitet në kualifikimet e ardhshme.
“Me çka do të isha ndarë i kënaqur? I pari i grupit. Varet nga shorti, grupit të futbollistëve, sepse nganjëherë duhet të kesh edhe fat të qëllojë një gjeneratë e cila në krejt shtetet ka ndodhur që një gjeneratë të jetë e bashkuar dhe të arrijë rezultate. Pa e parë shortin dhe grupin me të cilin fillojmë kualifikimet është e vështirë të them se me çfarë do të isha ndarë i kënaqur”, është shprehur Tovërlani.
Përkrah ish-trajnerit të disa klubeve në Kosovë do të jenë Genc Hoxha dhe Primozh Gliha, ndërsa në Turqi do të udhëtojë edhe Liridon Kukaj. Naser Prapashtica vazhdon të mbetet trajner i portierëve.
Tovërlani ka thënë se në listën e të ftuarve do të ketë futbollistë që meritojnë të jenë në përfaqësuese.
“Unë mendoj se secili që meriton, a luan në Kosovë, Itali, Francë apo Gjermani, do t’i jepet rasti. Kam kërkuar listën e ekipeve dhe Trepça ’89 ka më së shumti futbollistë që mund të jenë pjesë e U21. Prioritet do të kenë lojtarët që janë pjesë e ekipeve të para, pastaj rangu se ku luajnë”, është shprehur Tovërlani.
Tovërlani insiston se nuk do të ketë favore e as padrejtësi.
“Dera e FFK-së është e hapur për gjithë futbollistët kosovarë. Ka futbollistë që edhe po zgjedhin. Nëse je te Kosova dhe je në bankë dy ndeshje, shkon te Shqipëria. Nuk jam kundër të shkojnë te Shqipëria, por nuk është korrekte të vijnë me kushtëzime, pasi për këtë fanellë është sakrifikuar shumë. Ata që mendojnë se e kanë më mirë, nuk them të mos e zgjedhin atë rrugë, por është mirë të mendohen para ndonjë vendimi, pasi ka edhe nga ata që dëshirojnë sërish të kthehen. Për mua është e pakuptimtë. Kur të vijnë se nga çfarë klubi vjen, të jetë më i afërt dhe të fitojë simpatinë. Nuk kemi kushtëzime, por nuk pranojmë as kushtëzime. Nuk ka favore e as nuk do të ketë padrejtësi. Mund të gaboj, por asnjëherë nuk do të jenë të qëllimshme”, ka thënë Tovërlani.
Kosova U21 të hënën nis grumbullimin në Antalya.
Lista e Kosovës U21 për miqësoren ndaj Grenlandës
Leo Besson (Servette), Rijar Bytyqi (Twente), Erion Avdija (Muenchen 1860), Amar Gërxhaliu (Antalyaspor), Vleron Statovci (Alemannia Aachen), Arbnor Aliu (Schalke), Argjend Pacolli (Roda), Erdin Dushi (Trepça ’89), Florian Haxha (Hertha), Egzon Rexhaj (Xamax), Elvis Letaj (Tabor Sezhana), Buron Humolli (Apollon Larisas), Art Smakaj (Lokomotiva Zagreb), Doni Arifi (Tampere), Lulzim Peci (Trepça ’89), Adem Podrimja (Hannover), Milot Avdyli (Aarau), Arlind Rexhepi (Hamburg), Norik Humolli (Almpos Arideas), Besfort Zeneli (Elfsborg), Edin Hyseni (Wacker Burghausen), Dion Krasniqi (Varbergs), Elidon Qenaj (Heidenheim), Arian Llugiqi (Ingolstadt), Veton Tusha (Ballkani)