Trajkoviç për vendimin e qeverisë për Referendum: Kurti ia mundësoi Vuçiqit lëvizjen e radhës

Trajkoviç për vendimin e qeverisë për Referendum: Kurti ia mundësoi Vuçiqit lëvizjen e radhës

Politikanja serbe nga Kosova, Rada Trajkoviç, e ka parë si hap të gabuar veprimin e Qeverisë së Kosovës, veçanërisht kryeministrit, Albin Kurti, që nuk po lejohet mbajtja e Referendumit të Serbisë në Kosovë.



Ajo, duke folur për agjencinë rajonale të lajmeve JugPress, tha se shihet qartë që as presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, nuk po bën shumë presion që të mbahet ky Referendum në Kosovë, sepse po përgatitë diçka tjetër.

“Duket se cenimi i vazhdueshëm i marrëveshjes së Brukselit nga ana e Kurtit e frymëzoi dhe i dha Vuçiqit ‘sloganin’ se duhet të fillojë të mendojë për prishjen e marrëveshjeve të mëparshme për normalizimin e marrëdhënieve”.

“Përshtypja ime është se lëvizja e radhës e Vuçiç-it mund të jetë nxjerrja e serbëve nga institucionet e Kosovës dhe vendosja për bojkotimin e zgjedhjeve të ardhshme në Kosovë”, tha Trajkoviç.

“Ky kërcënim për destabilizimin e Kosovës po bëhet më konkret, veçanërisht nga frika e Vuçiç-it se disa serbë të tjerë – jo Lista Serbe – mund të marrin pozita të rezervuara për serbët brenda sistemit të Kosovës. Sepse të mos harrojmë se deri vonë serbët në sistemin e Kosovës kontrolloheshin nga ‘kontrolluesi’ joformal i Vuçiç-it për Kosovën, Milan Radoiçiç”.

“Por pas vendimit për sanksionet amerikane ndaj tij, kjo ‘qendër pushteti’ humbi besueshmërinë e saj. Tani duket se Vuçiç dëshiron të kthejë kontrollin mbi serbët e Kosovës në mënyrat e vjetra – brenda institucioneve të Serbisë në Kosovë”, shtoi Trajkoviç, transmeton AP, përcjell Gazeta “Enigma”.

E pyetur se nëse nuk do të organizohet Referendumi në Kosovë do të thotë se Beogradi heq dorë nga Kosova dhe serbët atje, Trajkoviç tha se “regjimi aktual serb është gati të heqë dorë nga të gjitha interesat, përveç interesave të veta dhe pushtetit politik”.

“Manipulimi i votave të serbëve të Kosovës në zgjedhjet parlamentare i sjell përfitime politike regjimit, ndërsa mbrojtja e parimeve dhe sovraniteti i mbetur i Serbisë në Kosovë është padyshim shumë më pak i rëndësishëm për ta”, deklaroi ajo.

Në përfundimin se mediat në Beograd prej ditësh po merren vetëm me Republikën Srpska dhe se përshtypja është se Kosova dhe serbët atje po lihen anash, Trajkoviç komenton se “mund të jetë një pasqyrim i vërtetë i situatës aktuale në rajon”.

Është e qartë se bashkësia ndërkombëtare aktualisht po i jep përparësi “zgjidhjes” së situatës në Bosnje. Dhe media thjesht ndjek ngjarjet dhe shkon aty ku janë lajmet. Ne në Kosovë aktualisht jemi ‘det i vdekur’. Na ka heshtur Beogradi”.

Sa u përket tensioneve të fundit që ishin në Veri, Trajkoviç deklaroi se nga to përfitojnë dy persona – “Aleksandër Vuçiç dhe Albin Kurti”.

“Ndërsa kjo situatë, natyrisht, nuk është në favor të serbëve në Kosovë, të cilët po mbahen në një ‘purgator’ midis Beogradit dhe Prishtinës, dhe të drejtat e të cilëve po u mohohen nga të dy anët”.

“Multietniciteti i Kosovës është pran kolapsit, dhe rritja e retorikës nacionaliste nga të dyja palët i dekurajon njerëzit dhe vazhdon t’i frymëzojë ata që të largohen nga Kosova”.

“Serbët e Kosovës janë të etur për mirëkuptim dhe fjalë pozitive, inkurajuese, veçanërisht nga bashkësia ndërkombëtare. “Unë pres që përfaqësuesit e rinj diplomatikë që e njohin mirë rajonin dhe që po vijnë në Prishtinë këto ditë do ta kenë parasysh këtë”, shtoi ajo.

Related Articles