Te Rapidi i Bukureshtit nuk e kanë pritur aspak mirë lajmin për lëndimin e Albion Rrahmanit. Sulmuesi 23-vjeçar, ditë më parë, iu nënshtrua operimit pas lëndimit që e pësoi me Përfaqësuesen e Kosovës. Rrahmani ishte i grumbulluar te Kosova këtë muaj dhe u lëndua në ndeshjen kualifikuese për “Euro 2024” në udhëtim ndaj Andorrës. “Dardanët” triumfuan 3:0 për ta regjistruar fitoren e parë në këtë cikël eliminator, por e humbën Rrahmanin. Ai pësoi frakturë në kyçin e këmbës së djathtë dhe ishte i detyruar t’i nënshtrohet operimit.
Rikuperimi i Rrahmanit do të jetë i gjatë dhe te Rapidi nuk llogaritin në kthimin e tij deri në fillim të vitit të ardhshëm. Madje, trajneri Cristiano Bergodi nuk pret që ta ketë Rrahmanin në dispozicion të paktën për katër muajt e ardhshëm. Në një intervistë për sajtin rumun “Prosport”, Bergodi ka pranuar se mungesa e Rrahmanit do të ndihet shumë në ekipin e tij. Ai ka pranuar se Rrahmani ishte ndër lojtarët kryesorë të ekipit të tij, i cili do ta vuajë mungesën e sulmuesit kosovar. Bergodi ka zbuluar se ka vendosur që të mos reagojë në treg për të sjellë zëvendësim për Rrahmanin, pasi do të mbështetet në ekipin aktual.
“Ne do të përpiqemi të ngjitemi sa më lart në renditje. Është e vërtetë, që kemi treguar formë të mirë dhe kemi heshtur të gjithë kritikët. Shpresoj që djemtë të jenë fokusuar në ndeshjet në vazhdim. Kemi ndeshje shumë të rëndësishme, por kemi humbur edhe Rrahmanin, që është një sulmues shumë i mirë”, është shprehur Bergodi. “Nuk e di se sa do të zgjasë rikuperimi i Rrahmanit, por është e qartë se mungesa e tij është humbje e madhe për ekipin tonë. Mendoj se të paktën, atij do t’i duhen rreth katër muaj pauzë. Dhe, gjatë kësaj kohe do të shohim se si do të shkojnë gjërat. Pavarësisht, mungesës së tij ne nuk do ta ndryshojmë sistemin e lojës dhe nuk do të sjellim sulmues tjetër”.
Rrahmani, i cili iu bashkua Rapidit këtë verë, pati një start të furishëm te skuadra rumune. Në 6 ndeshje kampionale, Rrahmani shënoi po aq gola dhe bëri dy asistime për t’u shndërruar në lojtarin kryesor të ekipit dhe sulmuesin më të rrezikshëm në elitën e futbollit rumun. Ai iu bashkua Rapidit nga Ballkani i Suharekës për 600 mijë euro dhe me skuadrën nga Rumania firmosi kontratë deri në verën e vitit 2026. Ai regjistroi paraqitjen e dytë për Kosovën ndaj Andorrës dhe ishte titullar në këtë përballje të Grupit I. Rrahmani debutoi te Kosova muajin e shkuar në duelin kundër Rumanisë, në të cilin u inkuadrua në minutat e fundit të ndeshjes. Pas 7 ndeshjeve të luajtura në këtë cikël eliminator, i cili mbyllet muajin tjetër, Kosova ka tubuar 7 pikë dhe zë vendin e katërt në grup.