Tre të dyshuarve për sulmin terrorist në Banjskë ndaj Policisë së Kosovës, Vladimir Toliq, Blagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq, u është vazhduar paraburgimi nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve V.T, B.S dhe D.M, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special me datë 20.08.2024 ka marrë Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ashtu që masa e paraburgimit tre të pandehurve iu është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj”, thuhet në përgjigjen e gjykatës për Betimi për Drejtësi.
Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup i armatosur serbësh e ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjskë, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues.
Kosova e konsideron Serbinë si përgjegjëse për organizim dhe kryerje të sulmit, por Beogradi mohon gjithçka.
Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe angazhohet vazhdimisht në fushata lobuese kundër Kosovës.
Dy vendet dialogojnë në Bruksel, për normalizim të marrëdhënieve, qysh prej vitit 2011.
Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.