Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, do të qëndrojë në Kosovë.
Hoteli ku ajo pritet të mbajë një takim me shoqërinë civile, është “blinduar” nga Policia.
Në vend të ngjarjes janë parë shumë policë për shkak të paralajmërimit për protestë nga Partia Socialdemokrate.
Ndryshe, Policia ka njoftuar se do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut, në intervale të shkurta kohore.
Kjo për kohën sa kryetarja e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, do të jetë për vizitë në Kosovë.
“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore) bazuar në itinerarin dhe agjendën si dhe do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thekson policia.
Partia Social Demokrate pardje ka mbajtur një aksion simbolik ku kanë thënë se “UÇK nuk mund të gjykohet”.
“Vizita e z. Trëndafilova në Kosovë është pikërisht për të rregulluar imazhin e kësaj gjykate të padrejtë. Gjykata Speciale është në krizë nga mungesa e thellë e legjitimitetit. PSD-ja është e vendosur që kjo përpjekje të mos arrijë qëllimin”, thuhet në njoftimin e tyre.
PSD thotë se “Trendafilova nuk është e mirëseardhur këtu”.
“Të bashkohemi të mërkurën me 29 nëntor, ta kundërshtojmë së bashku padrejtësinë që po mundohen t’na e interpretojnë si drejtësi”, paralajmëruan ata të hënën.