Menaxhmenti i “Trepçës” ka bërë thirrje të premten për minatorët që të tërhiqen nga procedurat përmbarimore lidhur me pagesat e orëve të fundjavës, duke paralajmëruar se në rast se këto procedura vazhdojnë, mund të rrezikohen pagat e muajve prill dhe maj për shumë punonjës.
Në një njoftim të shpërndarë në Facebook, kompania ka kërkuar që të arrihen marrëveshje për pagesa me këste, për të shmangur shpenzimet shtesë që mund të sjellin përmbaruesit dhe avokatët, si dhe për të siguruar stabilitetin financiar të ndërmarrjes.
“Momentalisht është e pamundur të sigurohet pagesa e rrogave për prill 2025 për mbi 70% të punonjësve. Ekziston rreziku që të mos realizohet në kohë as pagesa e rrogave për muajin maj,” thuhet në reagimin e menaxhmentit.
Ata shtojnë se vetëm këtë ditë ekziston një urdhër përmbarimor mbi shumën 200 mijë euro.
Kompania ka theksuar se ka pasur përpjekje për të bindur përfaqësuesit e minatorëve që të pezullojnë përkohësisht përmbarimet, për të mundësuar pagesat e rrogave, por një marrëveshje e tillë ende nuk është arritur.