Policia njofton se një zyrtar policor u sulmua në Fushë-Kosovë pasi po arrestonte një të dyshuar me urdhëresë aktive. Polici pranoi tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari u dërgua në mbajtje.
“Gjatë kontrollit në veturën e të dyshuarit është gjetur dhe sekuestruar një sasi prej 0.2 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë. I dyshuari gjatë arrestimit ka rezistuar me që rast një zyrtar policor ka pësuar lëndime trupore. Zyrtari policor ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit është dërguar në vuajtje të dënimit sipas urdhëresës së gjykatës”, thuhet në njoftim.
Në Pejë, dy të dyshuar i rezistuan arrestimit pasi e rrahën një person. Të dyshuarit pësuan lëndime trupore. Rasti është hapur “lëndim i lehtë trupor” dhe “sulm ndaj personit zyrtar”.
“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë për shkak se kishin sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar. Të dyshuarit gjatë arrestimit kanë rezistuar me që rast kanë pësuar lëndime trupore për çka edhe u është ofruar tretmani mjekësor. Të dyshuarit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thuhet tutje në njoftim.
Ndërkohë një i dyshuar në gjendje të dehur sulmoi fizikisht një polic në Suharekë i cili po merrej me një aksident trafikut.
“Ësëht arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se i njëjti në gjendje të dehur, kishte sulmuar fizikisht një zyrtar policor derisa zyrtari policor ishte duke u marrë me një rast aksident trafiku. Zyrtari policor ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, vijon njoftimi i Policisë. / Gazeta Enigma.