Trump dhe Putin do të takohen sot – Bota sytë në Alaska

Trump dhe Putin do të takohen sot – Bota sytë në Alaska

Në Alaskë do të takohen sot presidenti amerikan, Donald Trump dhe lideri rus, Vladimir Putin, çka përbën takimin e parë mes liderëve të këtyre dy vendeve që nga viti 2021.

Takimi është organizuar me kërkesë të Rusisë për shkak të situatës në Ukrainë, përkatësisht agresionit që rusët nisën ndaj këtij vendi në shkurt të vitit 2022 dhe që ende vazhdon.

Trump dhe Putin do ta fillojnë takimin në orën 21:00, sipas kohës lokale në Kosovë, dhe ai do të zhvillohet në bazën ushtarake Elmendorf-Richardson, më e madhja në Alaskë.

Përveç çështjes së Ukrainës, në tryezë do të jenë edhe tema të tjera me rëndësi për Putinin dhe Trumpin, ndërsa fokusi kryesor do të jetë te mundësia e normalizimit të marrëdhënieve mes Moskës dhe Uashingtonit.

Rusia shpreson që nga ky takim të dalë pa sanksione të reja, të cilat Trump i ka paralajmëruar, si dhe me një konfirmim të pushtimit të disa pjesëve të Ukrainës, si dhe me potencialin për hapje drejt tregut amerikan e më pas atij botëror, raporton Telefrafi

Nga ana tjetër, Trump shpreson që nga ky takim të dalë me një plan për armëpushim në Ukrainë. Ai kishte deklaruar gjatë fushatës zgjedhore se do ta ndalte luftën “për 24 orë”, por nuk ia doli. Ky takim përbën përpjekjen e tij më serioze deri tani për të ndalur luftën që filloi me pushtimin rus të Ukrainës.

Takimi do të ndiqet me shumë vëmendje në Kiev. Edhe pse presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kishte shpresuar për një takim trilateral, ku të merrte pjesë edhe ai, kjo nuk ndodhi.

Vendet evropiane kanë mbështetur Zelenskyn në qëndrimin se nuk do të ketë zgjidhje për luftën pa përfshirjen e Ukrainës dhe përfaqësuesve të saj.

Zelensky e tha këtë si reagim ndaj raportimeve se Trump do t’i ofrojë Putinit njohjen e territoreve të pushtuara të Ukrainës si pjesë e Rusisë, ose një lloj shkëmbimi territoresh. Trump gjithashtu ka thënë se çdo plan duhet të marrë mbështetjen e Kievit.

Në çdo rast, ky takim do të ndiqet nga e gjithë bota, dhe Trump ka theksuar se, nëse gjithçka shkon sipas planit të tij, ky do të jetë vetëm takimi i parë në një seri takimesh, dhe se në takimin e ardhshëm do të marrë pjesë edhe Zelensky. 

Related Articles