Presidenti i ShBA-ve, Donald Trump tha të shtunën se ShBA-ja ka përfunduar sulmet ndaj tre objekteve bërthamore në Iran.
“Kemi përfunduar me sukses sulmin tonë shumë të suksesshëm ndaj tre vendeve bërthamore në Iran, duke përfshirë Fordow, Natanz dhe Esfahan. Të gjitha avionët tani janë jashtë hapësirës ajrore të Iranit. Një ngarkesë e plotë me BOMBA u hodh në vendin kryesor, Fordow.
Të gjithë avionët janë të sigurt dhe janë në rrugën e kthimit për në shtëpi. Urime luftëtarëve tanë të mëdhenj amerikanë. Nuk ka ndonjë ushtri tjetër në botë që mund ta bënte këtë. TANI ËSHTË KOHA PËR PAQE! Ju faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj këtij çështjeje”, tha ai në një postim në rrjetet sociale.
Një zyrtar amerikan i tha New York Times-it se disa bombardues B-2 ndërmorën sulmet kundër tre objekteve bërthamore.
Sulmi erdhi pasi Pentagoni zhvendosi bombarduesit e fshehtë B-2 mbi Paqësor nga baza ajrore në Missouri. B-2-at mund të mbajnë bombën GBU-57, një armë konvencionale prej 13,600 kilogramësh që, sipas eksperëve të mbrojtjes, ka potencialin më të madh për të dëmtuar objektin e pasurimit të uraniumit në Fordow.
Pak orë më parë mediat amerikane raportuan se Pentagoni po zhvendoste bombarduesit strategjikë B-2 mbi Paqësor nga baza ajrore në Missouri, për t’i vendosur ata në pozicion nëse do të jenë të nevojshëm për një sulm ndaj Iranit.
Trump më herët u kishte thënë ndihmësve të lartë se kishte miratuar planet për sulm ndaj Iranit, por po priste të shihte nëse Teherani do të hiqte dorë nga programi i tij bërthamor, thanë persona të njohur me diskutimet.
Ushtria izraelite vazhdoi të shtunën sulmet ndaj udhëheqjes ushtarake të Iranit dhe infrastrukturës së tij bërthamore. Ushtria njoftoi se kishte vrarë tre udhëheqës ushtarakë të tjerë iranianë dhe kishte goditur objektin bërthamor në Isfahan.
Gjenerali më i lartë i Izraelit ka paralajmëruar se lufta mund të zgjasë, duke e quajtur fushatën ushtarake më të ndërlikuar në historinë e vendit.