Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka folur para gazetarëve gjatë një fluturimi në aeroplanin zyrtar, “Air Force One, teksa tha se “Jemi duke synuar diçka më të mirë se armëpushimi”, raporton televizioni BBC.
Më herët, presidenti amerikan e demantoi homologun francez, duke thënë se armëpushimi nuk ishte arsyeja pse ai u largua më herët nga samiti i Grupit G7 në Kanada.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se presidenti francez, Emmanuel Macron, po kërkon publicitet.
Ndërkohë, raportohet se ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka zhvilluar një bisedë telefonike me tre homologë evropianë, sipas mediut shtetëror iranian, IRNA.
Kryediplomati iranian bëri thirrje që Evropa ta dënojë “agresionin flagrant” të Izraelit, duke thënë se sulmet ndaj vendit të tij përbëjnë “goditje të pashembullt ndaj diplomacisë” si dhe duke e kritikuar qëndrimin e butë të shteteve perëndimore ndaj Izraelit, raporton mediumi IRNA.