Trumpi: ShBA-ja mund t’i udhëheqë centralet energjetike të Ukrainës

Trumpi: ShBA-ja mund t’i udhëheqë centralet energjetike të Ukrainës

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka zhvilluar një bisedë telefonaike që e përshkroi si “shumë të mirë” me homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky, një ditë pasi kishte biseduar me presidentin rus, Vladimir Putin.

Zelensky më pas tha se beson që “paqja e qëndrueshme mund të arrihet këtë vit” nën udhëheqjen e Trumpit, raporton televizioni BBC.

Pronësia e mundshme amerikane e centraleve bërthamore energjetike të Ukrainës gjithashtu u diskutua në bisedë, tha Shtëpia e Bardhë, edhe pse presidenti ukrainas më vonë deklaroi se kjo kishte të bënte vetëm me centralin që tani për tani është nën kontrollin e Rusisë në Zaporizhia.

Gjatë bisedës me Trumpin, Zelensky tha se ishte i hapur për një armëpushim të pjesshëm që do ta përfshinte ndërprerjen e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike, objekteve të hekurudhave dhe porteve detare dhe që do të mund të arrihej shpejt, por presidenti ukrainas paralajmëroi se vendi i tij do të hakmerrej, nëse Rusia do t’i shkelte kushtet e armëpushimit.

Duke shkruar në rrjetin “Truth Social”, Trumpi tha se qëllimi i telefonatës ishte rreshtimi i Ukrainës dhe i Rusisë “në aspektin e kërkesave dhe nevojave të tyre”, duke shtuar se përpjekjet për armëpushim ishin në rrugë të mirë.

Më vonë, në një deklaratë më të hollësishme, sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio, tha se Trumpi ishte pajtuar për ta ndihmuar Ukrainën që të sigurojë më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore, sidomos në Evropë.

Në deklaratën e kryediplomatit amerikan gjithashtu thuhet se Trumpi dhe Zelensky kishin diskutuar për “furnizimin e Ukrainës me energji dhe centralet energjetike bërthamore”, ndërsa Trumpi tha se “Shtetet e Bashkuara do të mund të ishin shumë të dobishme në menaxhimin e atyre centraleve me ekspertizën e tyre energjetike dhe të shërbimeve”.

“Pronësia amerikane e atyre centraleve do të ishte mbrojtja më e mirë për atë infrastrukturë dhe përkrahje për infrastrukturën energjetike të Ukrainës” – thuhet më tej në deklaratën e Rubios.

Zelensky tha se tema e centraleve të energjisë ishte ngritur, por se dy presidentët e kishin përmendur vetëm centralin në Zaporizhia.

Related Articles