Nesër do të mbahet seanca e Kuvendit, ku në rend dite është edhe çështja e Trustit.
Këtë çështje e ka iniciuar prej kohësh deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili vazhdimisht ka bërë thirrje ndaj deputetëve të mazhorancës që ta votojnë atë në Kuvend.
Përpos PDK-së e cila është inicuese e tërheqjes së 30 për qind të mjeteve të Trustit, pro këtij projektligji janë edhe LDK e AAK.
Pro Trustit është shprehur edhe deputetja Duda Balje.
Qeveria e ka kundërshtuar tërheqjen e mjeteve të Trustit që nga fillimi.
Në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur me 1 qershor, kryeministri Albin Kurti kishte ironizuar edhe me iniciuesin e kësaj nisme, deputetin Haxhiu, duke thënë se në “fakti se kush e ka iniciuar këtë çështjen e tregon nivelin e profesionalizmit dhe seriozitetit”
“Nisma për tërheqjen e mjeteve të trustit nuk është rastësi që ka ardhur nga një deputet i opozitës. Ja kush po merret me financa e ekonomi. Ky është niveli i profesionalizmit, i seriozitetit të nismës së kësaj iniciative nga deputeti i opozitës. Janë të njëjtit që na kanë sjellë në këtë gjendje dhe duan t’i humbin edhe ato pak të mira që i kemi. Të gjithë e dimë se sa rrezik është tërheqja e tillë. Opozita do të ndihmohet edhe nga Lista Serbe. Deputeti që ka bërë këtë nismë ka treguar se kanë mbështetjen e deputetëve të Listës Serbe. Ne nuk e mbështesim këtë nismë. Edhe në fillim e kemi ditur se kur hapet dera për pak, do të kërkohet më shumë dhe ja ku jemi tani. LVV nuk e mbështet një nismë të tillë”, kishte deklaruar Kurti.
Deputetët e mazhorancës do të votojnë kundër Trustit, sipas shefes së GP të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, e cila këtë projektligj e vlerëson shumë të rrezikshëm, nëse ai kalon.
Përjashtim nga VV do të bëjë deputeti Fatmir Makolli, i cili ka thënë se nuk do të votojë kundër por do të abstenojë.
Ndërsa, sipas deputetit Bekim Haxhiu, projektligji do të kalojë, nëse deputetët do të votojnë pa pasur presion.
Thirrje që të votohet trusti ka bërë vazhdimisht edhe shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, si një gjë që është në të mirën e qytetarëve.
Pro tërheqjes së mjeteve të Trustit janë mbajtur dhe protesta para Kuvendit të Kosovës.
Qytetarët kanë kërkuar tërheqjen e parave të tyre nga Trusti.
Mbetet të shihet nëse kjo çështje do të kalojë nesër në Kuvend.