Tubimi i “bashkimit” në LDK hap debat për përçarjet brenda partisë

Tubimi i “bashkimit” në LDK hap debat për përçarjet brenda partisë

Të dielën e 10 majit, Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur tubimin e “bashkimit” me ish-presidenten Vjosa Osmani, shkruan Gazeta “Enigma”. Por, jo të gjithë në LDK, po “e përqafojnë” këtë bashkim.

Kjo pasi disa nga figurat kyqe të partisë nuk morën pjesë në eventin që u proklamua si “bashkim” i partisë.

Analisti politik, Arton Muhaxheri, tha se slogani “Bashkimi i madh” i LDK-së po përdoret për të krijuar perceptim te masa.

Tutje, ai theksoi se bashkimi nuk bëhet me deklarata, por me veprime konkrete. Sipas tij, në rastin e LDK-së po ndodh e kundërta.

“‘Bashkimi i madh’ i LDK-së, më shumë se realitet, po përdoret si slogan për të krijuar perceptim. Bashkimi nuk bëhet me deklarata publike, por me veprime konkrete që tregojnë nëse ai po ndodh apo jo. Në rastin e LDK-së po ndodh e kundërta: flitet për bashkim, ndërsa organizimet e këtij ‘bashkimi’ po refuzohen nga njerëzit kryesorë të partisë”, deklaroi Muhaxheri për Gazetën “Enigma”.

Muhaxheri përmendi edhe disa nga figurat kryesore të kësaj partie, të cilët nuk ishin të pranishëm në këtë tubim.

Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Kujtim Shala dhe Janina Imeri nuk morën pjesë në “tubimin e bashkimit”, ku edhe zyrtarisht Vjosa Osmani iu bashkua LDK-së, pasi ishte larguar nga kjo parti në vitin 2020 dhe kishte themeluar Lista Guxo. Në këtë takim nuk u panë as figura të tjera të rëndësishme të partisë, si kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, dhe kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti.

Po ashtu, Hoti dhe Bajrami nuk kishin marrë pjesë as në takimin e Kryesisë së LDK-së, në të cilin u vendos që Osmani të jetë bartëse e listës dhe kandidate për presidente, ndërsa Lumir Abdixhiku kandidat për kryeministër.

Menjëherë pas këtij takimi, Avdullah Hoti reagoi me fjalët: “LDK mbi të gjitha!”.

Kujtim Shala, në një deklaratë për media, tha se është pro këtij bashkimi, duke theksuar se në parim është “pro të gjitha bashkëpunimeve”.

Tutje, ai shtoi se pa Vjosa Osmanin, LDK-ja ka humbur elektoratin.

Pas mungesës së saj në tubimin e LDK-së, i cili u cilësua si “tubim i bashkimit” me Vjosa Osmanin, Janina Ymeri reagoi duke mohuar zërat për përçarje brenda partisë.

Ymeri tha se nuk ka ndarje apo probleme brenda LDK-së dhe se do të marrë pjesë në aktivitetet e ardhshme të partisë.

“Nuk ka asnjë përçarje në LDK. Do të marr pjesë në tubimin hapës të fushatës me kryetar Abdixhiku. Gjithashtu, edhe në mbledhjet në LDK Ferizaj kam marrë pjesë në çdo mbledhje me komplet listën e kandidatëve nga LDK dhe Lista Vjosa”, thuhet në reagimin e saj.

Ajo akuzoi kundërshtarët politikë për propagandë dhe tentime për të krijuar perceptim të gabuar për situatën në parti.

“Është kohë linçimi, për VV-në dhe satelitët e saj. Më pyesni mua”.

Ndërsa Hykmete Bajrami deri më tani nuk ka bërë asnjë reagim publik në lidhje me këtë çështje.

Për këtë çështje reagoi edhe Adriana Matoshi nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila përmes një postimi në Facebook kritikoi Abdixhikun.

“Hykmete Bajrami, Kujtim Shala, Avdullah Hoti dhe Janina Ymeri nuk shkuan as në tubimin e partisë ku u prezantua Vjosa, e këndej Lumiri thoshte se i kemi 15 vota për Vjosën. Ata s’po duan ta pranojnë as në LDK, e po pranojnë t’i japin nënshkrimet për presidente. Shpejt ju dolën dertet!”, tha Matoshi.

Ndërsa profesori universitar, Mazllum Baraliu, tha se në demokraci secili mund të ketë qëndrimet e veta, edhe kundër.

Tutje, ai tha se efekti i këtij bashkimi varet nga votuesit.

“Jo të gjithë janë uniformë dhe unikë në kuptimin e pajtimit qind për qind me vendimet. Është demokraci dhe mund të ketë edhe qëndrime kundër, por përsëri është vendimi i shumicës dhe ai mbizotëron. Tani kemi një bashkim aty. Por sa do të ketë efekt, varet nga votuesi. Kryesorja është që ata kanë bërë një përpjekje, e cila nuk mendoj se është bashkimi i të djathtës, siç e kanë proklamuar. Nuk ka lidhje me atë”, deklaroi Baraliu për Gazetën “Enigma”.

Sipas Baraliut, qëllimi i këtij bashkimi është të sigurohen sa më shumë vota dhe një pozitë më e mirë politike, pasi LDK-ja ndodhet në fazat e fundit të një rënieje të vazhdueshme.

“Sidoqoftë, është një përpjekje e re për t’u riunifikuar në mënyrë që të fitojnë sa më shumë vota. Qëllimi është të kenë një pozitë më të mirë, sepse LDK-ja tashmë është në fazat e fundit të një rënieje të lirë dhe duhet të ndërmarrë diçka më bindëse për votuesin, në mënyrë që ai t’i japë më shumë vota dhe mundësi për t’u konsoliduar eventualisht, ose ta mendojnë mirë një strategji tjetër dhe jo atë të quajtur ‘Rruga e Re’, apo të gjejnë një model tjetër të veprimit programor, ideologjik dhe politik të kësaj partie”, tha Baraliu për “Enigmën”.

Pas takimit pati reagime edhe për propozimin e Agim Veliu si kandidat për deputet nga dega e LDK-së në Podujevë për zgjedhjet e 7 qershorit, propozim që u mirëprit nga Lumir Abdixhiku, por u kundërshtua nga vetë Veliu.

Ky i fundit, përmes një postimi në Facebook, tha se refuzon të jetë pjesë e listës së LDK-së për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit.

“Ndërsa sot e njëjta kryesi, me bekimin e shefit, më paska propozuar të jem në listën e kandidatëve për deputetë, madje pa më kontaktuar dhe pa më konsultuar fare. Tash nuk di nëse kam ndryshuar unë apo ata. Jo, as unë, as ata. Kanë ndryshuar vetëm strategjitë për mbijetesën e tyre politike. Ka ndryshuar edhe motoja, të cilën e solli në LDK e rikthyera nga aventura e saj pesëvjeçare në kampin majtist. Ajo, bashkë me Lumirin, mashtrimin dhe përdorimin e madh e ambalazhuan në ‘Bashkim të madh të djathtistëve’. Pikërisht për këto arsye, me respektin më të thellë për anëtarësinë e ndershme të LDK-së, deklaroj publikisht se refuzoj të jem pjesë e listës së kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 7 qershorit”, ka shkruar Veliu.

Analisti Arton Muhaxheri vendimin e Veliut e cilësoi si të drejtë dhe të saktë, pasi sipas tij, ai e kishte kuptuar me kohë lojën e Lumirit dhe Vjosës.

“Sa i përket Agim Veliut, konsideroj se ka vepruar drejt dhe saktë, sepse ai e ka kuptuar me kohë lojën e Lumirit dhe Vjosës, prandaj edhe refuzimi i tij ishte i pritshëm”, deklaroi Muhaxheri për Gazetën “Enigma”.

Kujtojmë se sot deri në mesnatë është afati për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se subjektet politike kanë edhe sot afat për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë, me të cilët do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës më 7 qershor.

Afati 11-ditor për subjektet politike përfundon sonte në mesnatë.

KQZ-ja ka bërë të ditur se numri i përgjithshëm i subjekteve politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet e 7 qershorit është 27, prej të cilave 22 parti politike, 3 koalicione, 1 nismë qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.

Ndërsa më 16 maj do të hidhet shorti për renditjen e partive në fletëvotim. /GAZETA ENIGMA/

Related Articles