U paraqit rrejshëm si Veton Elshani duke kërkuar para, qytetari në Zubin Potok i jep 1,000 euro

U paraqit rrejshëm si Veton Elshani duke kërkuar para, qytetari në Zubin Potok i jep 1,000 euro

Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e mashtrimeve, pasi një rast i mashtrimit u regjistrua në Zubin Potok, ku një qytetar atje i dërgoi 1,000 euro një personi tjetër, i cili rrejshëm ishte paraqitur si zëvendës Drejtori i Policisë në Mitrovicë të Veriut, Veton Elshani.

“Më datën 18.09.2025  rreth orës 09:20, në Stacionin Policor në Zubin Potok, është paraqitur ankuesi M/S/K i cili ka raportuar një rast mashtrimi, ku ai është kontaktuar nga një person i panjohur, i cili është prezantuar rrejshëm në emër të ZV.Drejtorit të DRP Mitrovice Veri Nënkolonel Veton Elshani dhe ka kërkuar ndihme financiare. Viktima ka dërguar shumën prej 1.000 euro përmes “Western Union” në Bosnje dhe Hercegovine, pas dërgimit të parave i dyshuari ka ndërprerë komunikimin”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia tha se raste të ngjashme me thirrje të rrejshme janë raportuar edhe më parë edhe në qytete tjera të Kosovës si në jug ashtu edhe në veri, ku persona të dyshuar kanë kërkuar mjete financiare në emër të ZV.Drejtorit Elshani.

“Policia e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët që të tregojnë kujdes maksimal dhe të mos bien pre e mashtrimeve telefonike apo përmes mesazheve të dyshimta, të cilat janë raportuar kryesisht nga Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi, apo çfarëdo telefonate të dyshimtë. Mos u besoni personave te panjohur te cilët prezantohen rrejshëm si zyrtare policore dhe kërkojnë para. Mos dërgoni mjete financiare përmes kanaleve te pasigurta. Çdo rast të dyshimte raportojeni menjëherë në Policinë e Kosovës”, u tha tutje në komunikatë. /Gazeta Enigma

Related Articles