Të hënën Ferizaji u trondit, kur u raportua se katër persona, dy vajza të moshave nën 18-vjeçe dhe dy persona rreth moshave 29-vjeçare janë sulmuar me thikë nga një person tjetër, raporton Gazeta Enigma.
Rrethanat ende nuk dihen por sipas policisë, njëra ndër viktimat e këtij rasti është një 10 vjeçare.
Tre nga të lënduarit janë dërguar në QKUK për trajtim të mëtutjeshëm, ka njoftuar drejtori i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Naser Syla.
Ai në një përgjigje për Gazetën “Enigma” tha se gjendja e 10 vjeçares është më e rëndë, e cila tash është shtrirë për të iu nënshtruar një operimi.
Ndërsa, sipas tij, dy të plagosurit e tjerë që janë duke u trajtuar në QKUK janë në gjendje stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.
Rastin për Gazetën “Enigma” e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
“Ekipe të shumta të policisë, përfshirë, edhe Njësinë e Reagimit të Shpejtë kanë nisur kërkimin e personit të dyshuar. Pas një pune intenzive të kërkimit, rreth orës 16:40 kanë arritur që në rrugën ” Riza Matoshi” në afërsi të qendrës tregtare ” Plus Market” të arrestojnë të dyshuarin E.S ( M/K) i moshës rreth 59 vjeçar, i cili nën masa të sigurisë është shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj. Hetuesit dhe krimteknikët rajonal janë duke i ekzaminuar vendet e incidentit, ndërsa është gjetur edhe një mjet i mprehtë ( thikë) me të cilën dyshohet se është përdorur në rastet e sipër përmendura”, tha Veseli. /Gazeta Enigma/