Komisioni Disiplinor i UEFA-s, ka gjobitur edhe Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF), në vendimet e publikuara të mërkurën. FSHF-ja është gjobitur në total me 44 mijë euro për ndeshjen mes Shqipërisë dhe Polonisë, e cila u zhvillua këtë muaj në stadiumin “Air Albania” në Tiranë në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”.
FSHF-ja është gjobitur me 30 mijë euro për ndezjen e fishekzjarrëve, hedhjen e gjësendeve dhe akte dëmtuese në duelin me Poloninë. Po ashtu, UEFA ka urdhëruar edhe mbylljen e pjesshme të stadiumit (tribunës veriore dhe jugore” për ndeshjen e ardhshme si vendas, por këtë vendim e ka pezulluar për një periudhë provuese prej dy vjetësh. Ndërkohë, me 14 mijë euro tjera, FSHF-ja është gjobitur për bllokimin e rrugëve publike.
Krahas gjobave, FSHF-ja ka marrë edhe paralajmërime për sjelljen e pahijshme të ekipit, reklamimin e ndaluar të sponsorëve në çanta, mosrespektimin e kërkesave minimale mjekësore, moszbatimin e një strategjie të duhur të ndarjes së biletave dhe për mediat e paautorizuara në fushë.