Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë do t’i dorëzojë nesër Policisë së Kosovës pajisje profesionale në vlerë prej më shumë se 440 mijë dollarësh.
Në ceremoninë, e cila mbahet në selinë e Policisë së Kosovës duke filluar nga ora 14:00, do të dorëzohen skanerë dore, kamera termike, endoskopë dhe dronë, të cilët PK-ja do t’i përdorë për të luftuar trafikun e armëve të paligjshme dhe për të përmirësuar kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta (SALW).
Dorëzimi i pajisjeve është pjesë e Programit të UNDP-së për Sigurinë në Kosovë (KSSP) i financuar nga qeveritë e Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe, Suedisë, Holandës dhe Norvegjisë, si dhe i mbështetur nga Bashkimi Evropian.
Në ceremoninë e dorëzimit të pajisjeve marrin pjesë Maria Suokko, përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së, Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme dhe Samedin Mehmeti, drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, si dhe ambasadorë të akredituar në vendin tonë dhe Zyra e BE-së në Kosovë.