Urdhri që strukturat paralele ta lirojnë objektin, Brukseli i reagon Mitrovicës së Veriut

Urdhri që strukturat paralele ta lirojnë objektin, Brukseli i reagon Mitrovicës së Veriut

Vendimin e Komunës së Mitrovicës së Veriut për lirimin e një objekti komunal që shfrytëzohet nga strukturat paralele të Serbisë, Bashkimi Evropian po e sheh si vendim që bie ndesh me zotimin e Kosovës për të shtensionuar situatën në veri të vendit. BE thotë se është e shqetësuar për këtë vendim të fundit nga ana e komunës që udhëhiqet nga Erden Atiq, i cili e ka arsyetuar atë me “disa punime të parashikuara që komuna do t’i kryejë në objekte të caktuara komunale”.

Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, në një përgjigje për Gazetën Express, tha se ky vendim i fundit është implikim i situatës aktuale në veri.

“Jemi të shqetësuar për implikimet në situatën e sigurisë të vendimeve të fundit të marra nga administrata e komunës së Mitrovicës Veriore për shfrytëzimin e hapësirave dhe ndërtesave publike dhe komunale, të cilat, ndër të tjera, kërkojnë nga subjektet e drejtuara nga Serbia të lirojnë objektet e tyre, nëse ata s’e sigurojnë dokumentacionin e kërkuar brenda një afati të shkurtër. Ky vendim bie ndesh me përpjekjet e vazhdueshme për të de-përshkallëzuar tensionet mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Stano.

Ai bëri thirrjen e zakonshme që vendimet e tilla Kosova duhet t’i adresojë përmes dialogut të lehtësuar nga Unioni.

“Ne përsërisim thirrjen tonë të përsëritur për koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë për të gjitha vendimet që ndikojnë në situatën e brishtë të sigurisë në veri të Kosovës dhe adresojnë këtë çështje në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Kjo përsëri nuk ka ndodhur me këto vendime”.

BE tha se çështja e strukturave paralele në veri të vendit duhet të zgjidhet përmes dialogut, si dhe me themelimin e Asociacionit.

“Çështja e strukturave të drejtuara nga serbët duhet të adresohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe duhet të zgjidhet në kontekstin e themelimit të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe”.

Zëdhënësi i Bashkimit Europian thotë se zgjedhjet e planifikuara për në katër komunat veriore duhet të mbahen sa më shpejt.

“Edhe pse zgjedhjet e pjesshme për kryetar komune të prillit 2023 të mbajtura në katër komunat në veri të Kosovës u zhvilluan në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, ne kemi qenë shumë të qartë se për shkak të pjesëmarrjes shumë të ulët ato nuk ofruan një zgjidhje politike afatgjatë. Prandaj, është e rëndësishme që zgjedhjet lokale gjithëpërfshirëse, ku serbët e Kosovës marrin pjesë pa parakushte, të organizohen sa më shpejt”.

BE-ja ka nënvizuar deklaratën e Përfaqësuesit të Lartë në emër të BE-së të datës 3 qershor 2023, e cila i kërkoi Kosovës dhe Serbisë që të marrin masa për të de-përshkallëzuar dhe të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm i pakoordinuar.

“Kosova u angazhua për këto parime në Bratislavë në korrik 2023”, përfundon përgjigjja e Stanos.

Komuna e Mitrovicës së Veriut iu ka dhënë afat tri ditë që të largohen nga ndërtesa.

Edhe ambasada e SHBA-së në një përgjigje për Gazetën Express më herët ka thënë se Kosovës i kanë kërkuar përmbajtje nga veprimet që nxisin tensione.

Për këto vendime të komunës, Lista Srpska ka reaguar me pretendimin se kjo po bëhet “për të larguar serbët nga Kosova”, derisa pati thënë se është ankuar edhe te ndërmjetësi Miroslav Lajçak.

Related Articles