Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, falënderoi kryeministrin Albin Kurti për pritjen në Prishtinë dhe e uroi atë për arritjet dhe sukseset “mbresëlënëse” në ekonomi.
Në një postim në platformën X, ajo shprehu krenarinë për mbështetje dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit për të siguruar një të ardhme evropiane për Kosovën, shkruan Gazeta Enigma.
Von der Leyen gjithashtu u takua me presidenten Vjosa Osmani, me të cilën mbajti një konferencë për media.
Ajo është në një vizitë në Ballkanin Perëndimor që nga 23 tetori, ku fillimisht vizitoi Shqipërinë për t’u takuar me kryeministrin Edi Rama dhe për të mbajtur një fjalim në ceremoninë e inaugurimit të kampusit të Kolegjit të Evropës.
Pas Shqipërisë, më 24 tetor, ajo u takua me presidentin Bajram Begaj dhe më pas udhëtoi për në Maqedoninë e Veriut, ku zhvilloi takime me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe presidenten Gordana Siljanovska-Davkova.
Më 25 tetor, Von der Leyen vizitoi Serbinë, ku u takua me presidentin Aleksandar Vuçiq.
Pas vizitës në Kosovë, ajo do të vazhdojë në Mal të Zi, ku do të pritet nga presidenti Jakov Milatoviq dhe kryeministri Milojko Spajiq./GazetaEnigma/