Vajza e “Calit”: Babai im nuk do t’i paguaj viktimat e fabrikuara nga prokuroria

Vajza e “Calit”: Babai im nuk do t’i paguaj viktimat e fabrikuara nga prokuroria

Vajza e ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa, i njohur si “Cali”, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Hagës lidhur me çështjen e viktimave, raporton Gazeta “Enigma”.

Buna Mustafa përmes një postimi në Facebook tha se pas bisedës me babain e saj, ai ka sqaruar qëndrimin e tij: sipas tij, vendimi i gjykatës është i padrejtë dhe i motivuar politikisht.

“Unë nuk ndihem përgjegjës moralisht, financiarisht apo në çfarëdo lloj forme tjetër, për shkak se ata nuk janë viktimat e mia. Rrjedhimisht, as nuk kërkoj ndihmë nga shteti dhe populli im që t’i paguaj viktimat e fabrikuara nga prokuroria dhe qarqe të caktuara politike që përgënjeshtrojnë të vërtetën për interesa personale”, citon vajza e tij, të ketë thënë Salih Mustafa.

Tutje ajo ka theksuar se babai i saj beson se lufta e UÇK-së ishte e drejtë, e pashmangshme dhe e domosdoshme.

Salih Mustafa ishte dënuar herën e parë me 26 vjet dënim me burgim për “krime lufte”, kurse Gjykata e Apelit e kishte zbritur dënimin në 22 vjet burgim.

Supremja Vendimin në fjalë ia kishte kthyer për rishqyrtim edhe një herë Gjykatës së Shkallës së Dytë në Hagë.

Herën e dytë Gjykata e Apelit nga 22 vjet dënim me burgim i kishte shqiptuar dënimin me burgim prej 15 vjetësh – dënim i cili ishte atakuar në Supreme. Ndërsa, më 26.02.2025 Gjykata Supreme e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë e ka vërtetuar dënimin me 15 vjet burgim për Salih Mustafën.

Related Articles