Vajzat që ranë nga ndërtesa në Ferizaj janë motra mes vete, njëra u mundua ta shpëtonte tjetrën

Vajzat që ranë mbrëmë nga kati i katërt i një objekti banesor në Ferizaj janë motra mes vete. Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë së Ferizajt, Kanun Veseli, i cili dha edhe detaje të tjera për rastin duke e cilësuar atë si vetëvrasje.

Sipas Policisë 18-vjeçarja ka tentuar ta shpëtojë motrën e saj 15-vjeçare e cila pas plagëve të marra ka vdekur.

Vajza 18-vjeçare e cila kishte bërë përpjekje për ta shpëtuar motrën e saj të mitur po trajtohet në QKUK dhe e njëjta ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Këto informacione i dha për Express zëdhënës i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

“Rasti është hapur si vetëvrasje. E ndjera ka tentu me kërcy, në përpjekje për ta shpëtu motra tjetër kanë rënë të dyjat”, tha ai për Express.

Për këtë rast policia është njoftuar mbrëmë rreth orës 21:35.

“Policia ka pranuar një informacion se në rrugën “Sandër Prosi” në Ferizaj, dy vajza të moshës 18 dhe 15 vjet kanë rënë nga kati i 4-të i një objekti banesor dhe të njëjtat janë dërguar për ndihmë mjekësore në Qendrën Emeregjente në Ferizaj”, thuhet në përgjigjen e Veselit.

Sipas policisë, vajzat në gjendje të rëndë shëndetësore janë dërguar për trajtim të mëtejshëm mjekësor në QKUK-Prishtinë.

Ku më pas është konfirmuar edhe vdekja e 15-vjeçares.

“Njëra nga të lënduarat Z.M (F/K) e moshës rreth 15 vjeçe për pasojë ka ndërruar jetë, kjo e konfirmuar nga mjekët, ndërsa e lënduar ka mbetur A.M (F/K) e moshës rreth 18 vjecare. Policia Rajonale e Ferizajt ,hetuesit dhe krimteknikët rajonal janë në vendin e ngjarjes dhe nën autorizim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore e Ferizajt po e hetojnë rastin”, ka konfirmuar zëdhënësi Veseli.

Related Articles