Nga Ministria e Shëndetësisë është konfirmuar se në Kosovë janë identifikuar dy raste me variantin Delta të koronavirusit. Ndonëse të dy këta persona tashmë janë shëruar. Infektologu Ilir Tolaj ka thënë në emisionin “Frontal”, në T7, se mund të ketë më shumë raste me këtë variant në Kosovë.
Ai e ka cilësuar naivitet, idenë e mbylljes së vendit për ta parandaluar ardhjen e këtij varianti në Kosovë.
“Ne nuk duhet me qenë naiv dhe me pretendu që mundemi me blloku Kosovën dhe të mos e lejojmë ardhjen e një varianti që po përhapet shumë në vendet e tjera. Që janë dy raste nuk nënkupton që nuk ka edhe të tjerë. Është mirë që të dy personat virusin e kanë kaluar në këmbë”, deklaroi Tolaj.
Për sa i përket karakteristikave të këtij varianti, Tolaj deklaroi se në aspektin klinik është i njëjtë, por që dallon tek aspekti i shpejtësisë së përhapjes.
“Është duke u përhapur në tërë vendet. Karakteristikë e tij është që përhapet më shpejtë se variantet e tjera. Në aspektin klinik nuk ka dallim prej varianteve të thjerra. Të gjitha të dhënat po tregojnë se me këtë virus po infektohen më shumë ata që nuk e kanë kaluar më herët virusin por edhe personat që nuk janë vaksinuar”, deklaroi infektologu.
Tolaj më tutje foli edhe për mbrojtjen që bën vaksina kundër COVID-19, ndaj këtij varianti të koronavirusit.
“Studimet kanë treguar se edhe vaksina është efektive ndaj këtij virusi. Edhe nëse infektohen do ta kalojnë shumë më lehtë. Duke e pasur parasysh që në Kosovë shumë qytetarë e kanë kaluar këtë virus, qoftë në një mënyrë apo në tjetrën nuk besoj që do të ketë përhapje të madhe të këtij virusi”, ka thënë ai në T7.
Tashmë në Kosovë ka filluar edhe ardhja e mërgimtarëve për pushime verore. E lidhur me këtë gjë, Tolaj ka thënë se gjendja është e njëjtë, si verën e kaluar pasi që rreziku për Covid-19 ekziston ende.
“Çdokush e bën një politikë shëndetësore në bazë të situatës që e ka aty. Gjithmonë duhet të shikohet përtej masave që i kanë marr. Rreziku as nuk është më i madh e as më i vogël krahasuar me verën e kaluar apo në pushimet e fundvitit kur kanë ardhur shumë bashkatdhetar tonë”, ka thënë ai./Gazeta Enigma/