“Zhvillimi i varianteve të reja është normal tek infeksionet virale. Pas COVID-19 shfaqja e këtyre varianteve si dhe dominimi i tyre në periudha të caktuara të kohës që ka përfshi pjesën më të madhe të globit nuk është diçka e papritur edhe në Kosovë”, ka thënë Infektologu Ilir Tolaj për Gazetën Enigma.
Tutje ai ka theksuar se vendi ynë ka disa elemente të cilat janë relativisht të favorshme në ecurin e pandemisë në përgjithësi, sepse sipas tij deri më tani, Kosova e ka kaluar lehtë këtë periudhë, meqë ka pas përgjegjësi nga institucionet dhe menaxhimi ka qenë në nivel të duhur.
Tolaj thotë se kushtet demografike në Kosovë kanë ndihmuar që pandemia të kalohet në mënyrë më të lehtë.
“Popullata jashtëzakonisht e re dhe një numër i vogël i popullatës së moshuar na kanë ndihmuar që të kalojmë këtë pandemi në këtë mënyrë”, ka thënë ai.
“Delta” nuk dallon nga variantet tjera
“Sa i përket peshës se sëmundjes dhe përqindjes se personave qe përfundojnë në spital apo atyre që janë prekur me covid-19, që eventualisht mund të përfundojnë me vdekje nuk ka ndonjë dallim substancial apo dallim te prekshëm me variante tjera”, ka thene Tolaj.
Më tutje ai ka thënë se varianti Delta po sulmon më së shumti personat që nuk e kanë kaluar virusin dhe ata të cilët ende nuk janë vaksinuar.
Edhe në njoftimin e publikuar ditë më parë nga MSH-së thuhet se “Varianti Delta i COVID-19 mund të dominojë në gjithë Evropën, prandaj është shumë e rëndësishme që sa më shumë qytetarë të vaksinohen gjatë kësaj periudhe të qëndrueshme të situatës epidemiologjike që e kemi arritur së bashku.
E nga kjo ministri kanë bërë të ditur se simptomat e infektimit me këtë variant janë të njëjta si ato të varianteve tjera: Ethe, kollitje, gulçim, lodhje, diarre, dhimbje koke e trupi.
Ahmeti: Varianti Delta përhapet shumë shpejtë
Për Gazetën “Enigma”, në lidhje me këtë temë ka folur edhe infektolgu Salih Ahmeti, i cili ka thënë se ky variant më së lehti mund të transmetohet mes familjarëve.
“Varianti Delta më lehtë përhapet mes familjarëve si dhe prek moshat më të reja” ka thënë ai.
“Është një variant shqetësues për të gjithë bashkimin evropian, sepse sipas të dhënave, deri në fund te muajit gusht, egziston mundësia që 90% e rasteve të infektohen me këtë variant, andaj edhe ne duhet ta kemi në konsideratë, të jemi të përgaditur për befasitë që mund të na sjellë ky virus” ka theksuar Ahmeti.
Ai tutje ka shtuar se ky variant përhapet mbi 60% më tepër në raport me variantet e mëparshme, ku prek edhe moshat më të reja, ndërsa në aspektin klinik nuk ka ndonjë karakterstike të veçantë dalluese.
Vaksinat janë mjeti i vetëm mbrojtës që mund ta përfundojmë pandemin
Ahmeti ka folur për vaksinat aktuale, i cili ka thënë se vaksinat që vendi ynë i ka në dispozicion, Pfizer dhe Astra-Zeneca janë shumë efikase edhe ndaj këtij varianti.
Tutje, ai ka thënë se personat të cilët e kanë mar vaksinën, nuk do të thotë që krijojnë imunitet të menjëhershëm. Sipas tij, atyre i nevojitet një periudhë sëpaku prej 3 deri në 4 javë deri sa të krijojnë një imunitet mbrojtës pas marrjës së dozës së parë.
“Në këtë periudhë, nëse personat bien në kontakt me virusin egziston mundësia që ata të infektohen. Në anën tjetër pas dozës së dytë kjo mundësi zvogëlohet dukshëm, po edhe nëse infeksioni ndodh pas vaksionimit zakonisht janë sëmundje me forma të lehta, pa manifestime klinike të renda dhe që nuk kanë nevojë për spitalizim apo për ndonjë përkujdesje të veçantë” ka shtuar ai.
Në fund ai ka theksuar se duhet ta kemi parasysh se ende jemi në pandemi dhe se çdo vaksin dhe çdo barnë që përdoret në mjeksi mund të ketë ndonjë efekt anësor të pritshëm minimal, duke cekur se vaksinat Pfizer dhe Astra-Zeneca kanë disa efekte që për qytetarët janë të njohura, si reaksione alergjike, lokale, temperaturë, dhimbje etj, por që në raport me binifitet qe i sjell vaksina janë më të përballueshme.
Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka konfirmuar se me 29 qershor, janë paraqitur dy rastet e para me variantin Delta të SARS-CoV-2.
Sipas autoriteteve , mostrat janë testuar në Institutin e Virologjisë të Klinikës Unversitare Charite në Berlin.
Varianti Delta mund të përbëjë 90% të infeksioneve të reja me koronavirus në Europë deri në fund të gushtit, kanë thënë zyrtarët nga agjencia e BE-së për kontrollin e sëmundjeve. Megjithatë, nga zyrja e OBSH-së, kanë konfirmuar se vaksinat ekzistuese kundër koronavirusit, “janë efektive” kundër variantit Delta./Gazeta Enigma/