Seanca e së hënës në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Pjetër Shalës ka filluar me paraqitjen e provave nga mbrojtësi i viktimave, Simon Laws.
Kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia, ka thënë se mbrojtësi i viktimave Simon Laws më 24 korrik ka kërkuar që dy ekspertët që kanë përgatitur raportin të dëshmojnë në të njëjtën kohë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kjo me arsyetimin që ata të japin mendimet e tyre dhe të plotësojnë dëshminë e njëri-tjetrit dhe sipas tyre kjo është në përputhje me rregullat për përgatitje tilla.
Andaj, e njëjta kërkesë është miratuar nga trupi gjykues dhe seanca do të vazhdojë në seancë publike me dëgjimin e dy ekspertëve pa masa mbrojtëse.
Ndryshe, gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.
Në mars ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku deri më tani janë dëgjuar nëntë dëshmitarë.
Dëshmitari i parë ka filluar dëshminë e tij më 27 mars dhe e ka përfunduar më 28 mars, dëshmitarja e dytë ka filluar dëshminë më 28 mars dhe e ka përfunduar më 29 mars, dëshmitari i tretë ka filluar më dëshminë më 29 mars dhe e ka përfunduar më 30 mars, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e katërt.
Kurse, dëshmitari i pestë e filloi dëshminë më 1 maj, ndërsa e përfundoi më 2 maj, ku edhe filloi dëshmia e dëshmitarit të gjashtë, e cila përfundoi më 3 maj. Më pas, dëshmia e dëshmitarit të shtatë filloi më 30 maj, e vazhdoi më 31 maj dhe e përfundoi më 6 qershor.
Ndërkaq, dëshmitari i tetë, ekspert për identifikimin e ADN-së ka dhënë dëshminë e tij më 16 qershor, kurse dëshmitari i nëntë, eksperti mjekoligjor ka filluar dëshminë më 26 qershor dhe e përfundoi më 3 korrik.
Dëshmitari i dhjetë me radhë, eksperti William Goodwin ka përfunduar dëshminë e tij më 4 korrik.
Ndryshe, Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt, raporton Betimi për drejtësi.
“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.