Vazhdojnë debatet, opozita e braktis edhe Komisionin, s’votojmë asgjë deri në themelimin e Komisionit Hetimor

Vazhdojnë debatet, opozita e braktis edhe Komisionin, s’votojmë asgjë deri në themelimin e Komisionit Hetimor

Debati pozitë e opozitë për çështjen e Komisionit Hetimor ka vazhduar edhe në Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Derisa është shqyrtuar Projektligji për Policinë Ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës, deputetët e opozitës kanë thënë se nuk do të marrin pjesë në votime.

Deputeti i LDK, Driton Selmanaj, ka thënë se nuk do të marrin pjesë në votim derisa të themelohet Komisioni Hetimor, raporton EO.

“Për LDK është e papranueshme sjella e pozitës ndaj opozitës. Konstruktiviteti ynë po përkthehet në arrogancë ndaj nesh. Ne nuk do të marrim pjesë në asnjë votim dhe çështje që trajtohet në komision përderisa nuk themelohet Komisioni Hetimor. Ne mund të marrim pjesë në diskutime por jo në votim. Si qëllim për të zbardhur gjithçka që ka ndodhur si proces”, tha Selmanaj.

Njëjtë mendoi edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra.

“As PDK nuk do të jetë pjesë e votimeve të asnjë projektligji derisa nuk themelohet Komisioni Hetimor që do të bënte dritë mbi keqpërdorimet në blerjen e energjisë. Nuk do të jemi pjesë e asnjë votimi. Kjo sjellje e mazhorancës nuk është e drejtë ndaj nesh si opozitë”.

“Për hir të korrektësisë bllokimi ka filluar në kuvend. Opozita ka votuar të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare dhe si deputete nuk njoh opozitë që ka funksionu si kjo e sotmja. Nuk jemi ne që kemi bllokuar punën e institucionit. Mazhoranca duhet ta largojë këtë arrogancë. T’i hapni mundësi këtij komisioni të kryejë punën e vet”, tha ajo./Gazeta Enigma/

Related Articles