Vazhdojnë vizitat e diplomatëve në BQK, ambasadori austriak takohet me guvernatorin

Vazhdojnë vizitat e diplomatëve në BQK, ambasadori austriak takohet me guvernatorin

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili e ka pritur sot në takim ambasadorin e Asutrisë, Georg Schnetzer.

BQK njoftoi se Ismaili ia ka “sqaruar” ambasadorit austriak “aspektet kryesore, efektet dhe argumentet për pozicionin e saj”, lidhur me rregulloren e re e cila e përjashton dinarin serb nga përdorimi në vend.

“Ambasadori Schnetzer u informua edhe lidhur me Rregulloren për Operacione me Para të Gatshme, duke sqaruar aspektet kryesore, efektet dhe argumentet për pozicionin e saj. U sqarua se Rregullorja avancon integritetin e sistemit financiar dhe përafron Republikën e Kosovën me standardet e BE-së, si dhe ajo nuk ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në Euro, nuk kufizon aktivitetin këmbimor që kryhen nga institucionet financiare bankare ose jo-bankare të licencuara nga BQK”, thuhet në komunikatën e BQK-së.

Schnetzer, siç thotë BQK, “u njoftua edhe për planin për zbatimin e kësaj rregulloreje në praktikë”.

“Në këtë aspekt, Ambasadori austriak u njoftua edhe për Planin e BQK-së për zbatimin e kësaj Rregulloreje në praktikë, si dhe veprimet për lehtësimin e efekteve të saj, krahas angazhimit konstruktiv të BQK-së për lehtësimin e transferimit të mjeteve sipas modelit të propozuar dhe gatishmërisë për të diskutuar opsionet e mundshme ligjore”, thuhet në komunikatë.

“Në fund të takimit u theksua se BQK në mënyrë aktive po vazhdon me aktivitete të informimit dhe sensibilizimit, përfshirë lëshimin e linjës pa pagesë të dedikuar për qytetarët tanë dhe materiale tjera informuese, duke ftuar ata që ende nuk kanë llogari të hapin një të tillë te secila bankë, e cila për grupe të cenueshme nuk ka tarifë të hapjes e as të mirëmbajtjes, nga 1 janari 2024 me Rregulloren e BQK-së për Qasje në Llogari Pagese për Shërbime Bazike”, thuhet tutje në komunikatën e BQK-së.

Sipas Bankës Qendrore, gurvernatori dhe ambasadori austriak folën për “nismat për avancimin e sistemit financiar, përfshirë projektin për modernizimin e sistemit të pagesave dhe synimin për anëtarësimin në Zonën e Vetme të Pagesave Euro të Bashkimit Evropian, i njohur si SEPA”.

Në takim u diskutua edhe “për mbështetjen që shteti austriak po i jep Republikës së Kosovës në proceset integruese, përfshirë këto aspekte lidhur me Sistemin e Kartonit të Gjelbër, Kodin ISO që lidhet me platformat botërore të pagesave dhe procese tjera me rëndësi të veçantë për vendin tonë”, por edhe për “veprimet e ndërmarra ndaj parave të falsifikuara, si deh planet tjera për fuqizimin e integritetit të sistemit financiar, me praktikat më të mira ndërkombëtare”.

BQK thotë se guvernatori “e falënderoi Ambasadorin Schnetzer për mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë së tij dhe popullit austriak për institucionet dhe popullin e Kosovës”.

Georg Schnetzer është vetëm ambasadori i radhës që shkon për t’u takuar me guvernatorin e BQK-së, Ahmet Ismailin. Para tij kishin qenë edhe ambasadori francez, Oliver Guerot dhe ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier, i cili kërkoi shtyerjen e zbatimit të rregullores së re të BQK-së.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi së fundmi tha jo direkt se diplomatët ndërkombëtarë po ndërhyjnë në institucionet e pavarura të vendit. Kur dikush nga përfaqësuesit ndërkombëtarë kërkon koordinim nga një institucion i pavarur, Bislimi tha se kjo nënkupton ndërhyrje.

“Koordinimi me automatizëm është ndërhyrje në punën e një institucioni të pavarur”, tha ai në një intervistë të fundit.

“Unë mendoj që është gabim, sa herë që dikush, pa marrë parasysh a është vendor a ndërkombëtar, takohen me institucione të pavarura për të diskutuar tema të caktuara dhe për ta dhënë mendimin e tyre. Në qoftë se një përfaqësues i një institucioni ndërkombëtar takohet me Bankën Qendrore dhe thotë ‘ne ju rekomandojmë ta shtyni zbatimin e këtij vendimi’, nënkupton që ne ju tregojmë se si duhet të duket vendimi, rrjedhimisht ne konstatojmë se ju nuk jeni dhe nuk duhet të jeni të pavarur në marrjen e vendimeve”, shtoi ai.

Zëvendëskryeministri tha se “kjo është gabim, sidomos atëherë kur pavarësia e këtyre institucioneve është ndërtuar me miliona investime të vetë vendeve prej të cilave vijnë këta individë”.

Related Articles