Vazhdon dhe sot procesi gjyqësor ndaj “Thaçit dhe të tjerëve” në Gjykatën Speciale në Hagë.
Gjykimi është paralajmëruar të fillojë nga ora 09:00
Gjatë ditës së djeshme ka përfunduar dëshminë dëshmitari Skender Zhitia në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thacit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Dëshmitari tha se populli shqiptar mburret me UÇK-në dhe djemtë të cilët e kanë themeluar atë.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës-organizatë politike dhe ushtarake është projekti më i suksesshëm i kombit shqiptar në shekullin XX. UÇK jo vetëm që dinë me organizu luftë të drejtë e të nevojshme, por ka organizu dhe udhëheqë luftë të domosdoshme për ekzistimin e popullit shqiptar në trevat e veta dhe me luftën e vetë të drejtë ka arrit me e ba aleat edhe forcën kryesore siç ka qenë NATO. Ushtria Çlirimtare e Kosovës me këtë luftë e ka bërë epokën e vetë. Populli shqiptar mburret me UÇK-në dhe me ata djem që e kanë themelu UÇK-në. Drejtuesit e UÇK-së janë një emblemë që do të rrezatojë gjithmonë edhe në historiografinë shqiptare”, tha dëshmitari Zhitia duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Krasniqit.
Ish-drejtuesit e UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, po gjykohen në Gjykatën Speciale nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.