Tetë persona kanë humbur jetën në vendin e punës në Kosovë për vetëm tre muaj, shifra këto që po konsiderohen si alarmante dhe që do duhej ta vinin në këmbë shtetin, shkruan Gazeta Enigma.
“Punëdhënësi është përgjegjës për të krijuar kushtet e punës të sigurta dhe të shëndetshme në të gjitha aspektet e punës”, kështu thotë nenin 5, në Ligjin për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë. Por kjo s’ndodhë në Kosovë, ku si pasoj e kushteve të rënda të punës, punëtorët shpeshherë lëndohen, e jo rrallherë humbin edhe jetën.
Fatin e tillë e pati edhe 58 vjeçari Behram Arifi, i cili punonte si elektricistë në Minierën “Trepça”. Arifi vdi duke punuar i vetëm në ndërrimin e natës, e si shkaktar i vdekjes së tij, po dyshohet të jetë kontakti me tensionin e lartë të rrymës.
“Institucioneve s’i bëhet vonë për punëtorët”
I pari i Sindikatës së Pavarur të sektori privat, Jusuf Azemi në një intervistë për Gazetën Enigma, fajësoi institucionet vendore të cilat sipas tij nuk e kanë prioritet sigurinë e punëtorëve në vendin e punës.
“Sa i përket sigurisë kemi një fillim të kobshëm të këtij viti sepse tani që nga 1 janari kemi 8 raste të vdekjeve në vendin e punës, ne kemi kërkuar nga Ministria e Financave, që të krijohet një lloj komiteti që të merret ekskluzivisht me këtë çështje, së bashku me Inspektoratin e punës dhe me Sindikatën e Pavarur të Sektorit Privat, por si pas të gjitha gjasave atyre nuk i’u qon peshë fortë vdekja e punëtorëve në vendin e punës”, ka thënë ai.
Për këtë ai fajin e hedh edhe tek numri i vogël i inspektorëve të punës.
“Me një numër të inspektorëve që deri tash janë 35, nuk mund të bëjnë ndoshta edhe më shumë sesa që janë duke bërë, i gjithë fati I punëtorëve në sektorin privat është në fatin e Zotit, po janë edhe ‘rrisk’ I institucioneve tona sepse është dashtë më bë shumë ma shumë. Më shumë se një dekade kemi kërkuar të kemi një fond të veçantë për këta punëtorë që lëndohen në vendet e tyre të punës, dhe humbin jetën. Ka raste kur inspektorët e punës kanë lëshuar dy raporte zyrtare për aksidente dhe vdekje në vendin e punës, gjë që nuk mund të jetë serioze”, ka shtuar ai.
Të drejtat e punëtorëve në Kosovë, shkilen çdo ditë
Ndërkohë për gjendjen e rëndë në të cilën punojnë punëtorët në Kosovë, foli edhe Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Të Drejtave dhe Lirive të Njeriut – KMDLNj, Behxhet Shala.
Ai në një prononcim për Enigmën tha se kushtet e ofruara nga punëdhënësit në Kosovë, nuk janë as afër atyre siç i parashohin konventat ndërkombëtare.
“Kur flasim për të drejtat e punëtorëve, standardet në sektorin publik dhe atë privat nuk janë në përputhje me standardet dhe konventat ndërkombëtare. Shumica e të punësuarve në sektorin privat janë pjesë e ekonomisë joformale, pa kontrata pune, me orare të zgjatura të punës dhe pa kompensim per zgjatje, pa të drejtë për pushim ditor, pushim javor ose vjetor, pa sigurim në punë, pa pajisje mbrojtëse dhe pa të drejta fundamentale të cilat burojnë nga instrumentet ndërkombëtare”, theksoi i.
Tutje, ai thotë se shkelja e këtyre rregullave të punëdhënësve duhet dënuar dhe se rigoroziteti në këto masa do të parandalonte aksidentet e tjera.
“Shkelja e këtyre rregullave është në kundërshtim me ligjin dhe bizneset te cilat i shkelin këto do të duhej të dënoheshin në mënyrë të rreptë, e cila do të kishte efekte parandaluese për bizneset tjera që të mos shkelin këto rregulla. Fatkeqësisht, rasti i fundit në Levoshë të Pejës, kur humbi jetën një punëtor duke rënë nga shtylla elektrike e që nga plagët e marra nuk arriti të shpëtojë, është edhe një rast tjetër tragjik dhe alarmues për institucionin e Inspektoratit te Punës por dhe për gjithë shoqërinë.”
Si Azemi, edhe Shala kritikon numrin inspektorëve të punës, gjë e cila që sipas tij po ndikon tek bizneset ta ‘shkelin’ Ligjin e Punës.
E për kushtet e rënda në të cilat punojnë punëtorët, e veçmas ata në ndërtime të larta, foli Reshat Keqmezi, punëtor i një firme ndërtimtarie në Gjilan.
Ai thotë se kushtet e punës gjithmonë kanë lënë për të dëshiruar, dhe se rreziku ende është i madh. “Rrezik u kanë gjithë, po gjithmonë tu u rujtë e tu u lutë që s’ka me ndodhë ma e keqja. Aksidente ka plotë, po kjo mundët me ndodhë edhe prej pakujdesisë që vet punëtorët e kanë. Mungojnë mjetet mbrojtëse sidomos kur kemi të bëjmë me punime në lartësi të madhe. S’ka kurrfarë sigurie aty, mundesh me ra, po duhet me u rujtë.” përfundon ai.
Ndërkohë Gazeta Enigma ka kontaktuar edhe me Inspektoratin e Punës, për këtë cështje por që deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.
Sipas të dhënave zyrtare përgjatë vitit të kaluar janë shënuar nëntë raste të vdekjes, kurse vitin 2021 ishin 14.
Lëndime e vdekje kishte edhe në vitin 2020, të dhënat tregojnë se përgjatë atij viti ishin 11 vdekje dhe mbi 160 lëndime në vendin e punës./ Gazeta Enigma/