Një ngjarje e rëndë ndodhi në orët e para të së shtunës në Staten Island të New York-ut. 23-vjeçarja me origjinë nga Kosova, Adriana Sylmetaj humbi jetën si pasojë e një aksidenti tragjik. Nga kjo ngjarje shumë e rëndë mbeti i plagosur partneri i saj, 30-vjeçari Adem Nikeziq, i cili raportohet po ashtu se ka origjinë shqiptare.
Sipas asaj që bëjnë të ditur mediat amerikane, ajo që e bën më tragjike këtë ngjarje është fakti që çifti ishte në pritje të një fëmije. New York Daily News raporton se Sylmetaj dhe Nikeziq ishin në pritje të një vajze në muajin Prill.
Por gjithçka u shua mëngjesin e së shtunës, kur Nikeziq, nën efektin e alkoolit humbi kontrollin e mjetit dhe u përplas me një mur e më pas me një shtyllë. Makina u shkatërrua dhe u nda përgjysmë. Për pasojë Sylmetaj humbi jetën menjëherë në vendin e ngjarjes.
“Ajo ishte e emocionuar kur mësoi se do bëhej nënë. Ishte diçka e re. Mezi priste të lindte fëmijën”, tha vëllai i saj Al Sylmetaj për Daily News.
“Po mendonin për emrat, por nuk kishin vendosur ende. Po ashtu po mendonin të bënin një festë për pritjen e ëmbël të fëmijës”, shtoi ai.
Si pasojë e këtij aksidenti, 30-vjeçari Nikeziq pësoi disa dëmtime të lehta. Urgjenca e dërgoi në spital në gjendje të qëndrueshme. Ai tashmë akuzohet për vrasje nga pakujdesia, drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe sulm.
Aktualisht i riu është i shtruar në spital ku pret që të dalë para gjykatës kriminale në Staten Island. 30-vjeçari ka precedentë të tjerë penalë për drejtimin e makinës. Ai është arrestuar në 2017 për drejtim makine në gjendje të dehur dhe me patentë të pezulluar. 2 vite më vonë, në 2019-ën, ai u arrestua për drejtim makine me leje të pezulluar dhe rezistencë ndaj arrestimit.
Vëllai i 23-vjeçares është shprehur se që në fillim nuk ka pasur besim te i dashuri i motrës, por kohët e fundit shfaqej i dehur më shpesh si pasojë edhe e dhimbjes pasi kishte humbur babanë.
“E kisha këtë ndjenjë që rezultati do të ishte në këtë mënyrë. Gjithmonë kur e prezantonte veten dukej sikur ishte nën ndikimin e alkoolit, jo për faktin që dukej i pakontrollueshëm, por nga mënyra si fliste. Gjithmonë pyeste nëse do të shkoja të pija diçka me të. Sapo kalova ditëlindjen dhe ai më ftoi që të pija me të, por nuk pranova”, u shpreh vëllai.
Sylmetaj punonte si teknike veterinere, por së fundmi po pushonte që të përgatitej për lindjen.
“Ishte perfekte. Nuk mund të thuash gjë tjetër. Është mënyra më e keqe që ajo të vdiste. Nuk e meritonte as ajo dhe as fëmija. Nuk mund të them asgjë që mund ta rregullojë apo ndryshojë çfarë ka ndodhur”, u shpreh një mikeshë e saj.
Në shtëpinë e 23-vjeçares u shkuan familjarë të saj për t’i shprehur ngushëllime nënës së dëshpëruar. Al Sylmetaj tha se motra ua kishte prezantuar të dashurin të afërmve dy vite më parë.
“E donte jetën, ishte gjithmonë e lumtur. E gjithë familja po priste fëmijën. Dy fëmijët e mi, kam një 5 vjeç dhe tjetrin 6 vjeç dhe një tjetrën që do tëvinte vërdallë, kjo ishte ajo që po prisnin të gjithë”, tha ai.
Vëllai tregoi se tashmë po përpiqen të kuptojnë dinamikën e aksidentit.
“Është e vështirë. Nuk mund ta besoj”, tha ai.
Sipas tij, i dashuri i motrës nuk ishte aq entuziast që do të bëhej baba.
“Nuk mendoj se ishte gati për të pasur fëmijë. Nuk ishte përgatitur për këtë gjë. Nuk do të bëhesh baba s’mund të shkosh t’i japësh mjetit i dehur. Duhet të mendosh pak”, tha ai.
Më tej, Al është shprehur se të gjithë familjarët kanë vënë re diçka për Nikeziq. Sipas tij ai tentonte t’i manipulonte ose t’i bënte ta pëlqenin.
“Kur ajo më thoshte se ishte e lumtur, se e donte, e besova fjalën e saj (motrës) dhe e pranova. E pyesja shpesh nëse ishte në rregull çdo gjë. Ndoshta nuk ishte diçka reciproke. Dukej sikur ajo e donte më shumë”, tha ai./tvklan.al