Fituesit të zgjedhjeve nacionale të 9 shkurtit, Albin Kurtit me Lëvizjen Vetëvendosje, i kanë mbetur edhe tri ditë kohë për të formuar Qeverinë e re. Sipas të gjitha gjasave, mbledhja e deputetëve do të bëhet të dielën, ndërkohë që mbetet të shihet nëse Kurti i ka bindur 61 apo më shumë deputetë që ta votojnë kabinetin e tij të ri, megjithëse nga partitë e tjera nuk dhanë sinjale për këtë gjë, shkruan Gazeta Enigma.
Kryeministri në detyrë Kurti, të mërkurën deklaroi se nuk ka numra për Qeveri dhe se alternativë janë zgjedhjet e reja.
“Nuk është kollaj, se, s’di qysh me ua shpjegu, ndoshta e keni ndëgju edhe ju vet, është intoksiku atmosfera shumë, ka shumë xhelozi e inati e cinizëm shumë më shumë se ide, punë e pasion. Por, jemi ku jemi dhe do të përpiqemi ta bëjmë Qeverinë. Por, siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prapë”, tha Kurti para gazetarëve.
Nisma: Jo Qeveri bashkë, suksese ty
Ditë më parë, Kurti tha se i ka propozuar bashkëpunim Fatmir Limajt me partinë Nisma Socialdemokrate, parti kjo e cila ia ka mbyllur dyert e bashkëpunimit atij.
“Me partinë GUXO, që i kanë gjashtë deputetë, jemi marrë vesh për dy ministra – Donika Gërvalla në Ministrinë e Jashtme dhe Faton Peci në atë të Bujqësisë. Tash, me NISMËN kam qenë i gatshëm t’ia jap një ministri, nënkryetarin e Kuvendit dhe dy zëvendësministra. Po të ishte bërë Albulena Haxhiu kryetare e Kuvendit, Fatmir Limaj do të ishte bërë nënkryetar, për shkak të përfaqësimit gjinor dhe peshës elektorale”, tha Kurti.
Megjithatë, duket se Nisma nuk është më e interesuar për koalicion me LVV-në, shkaku i hatërmbetjes me pozitës së kryeparlamentarit.
Anëtari i kryesisë së Nismës tregoi për Gazetën Enigma se kryetari Fatmir Limaj ia kishte bërë të ditur Kurtit se nuk ka vota për krijimin e Qeverisë, një ditë pasi Dimal Basha u zgjodh kryeparlamentar.
“Pas atij takimit të famshëm të fundit, një ditë para seancës, atë natë Limaj ftoi Kryesinë e Nismës. Dhe na ka informuar për bisedën me Kurtin. Dhe aty është marrë vendim ‘Jo në Qeveri, vetëm partneritet për Kuvend’, dhe kjo është miratuar. Nga ai moment nuk ka ndryshim”, tha Sherifi.
Sherifi tutje tregoi se Kurti ka tentuar të vendosë kontakt me Limajn edhe pasi është zgjedhur Dimal Basha kryeparlamentar.
“Zoti Limaj ka thënë që meqë nuk arritëm të konkretizojmë bashkëpunimin në Parlament, ti nuk e ke pa të arsyeshme partneritetin në Kuvend, ju e dini mirë që nuk jam i interesuar për Qeveri, ju uroj suksese më tej. Ky është komunikimi i fundit që zoti Limaj ka pasur me Kurtin”, tregoi Sherifi.
Çka thonë nga partitë tjera?
Gazeta Enigma nuk arriti të kontaktojë me ndonjë anëtar të partisë së dytë më të madhe, Partinë Demokratike, rreth kësaj çështjeje.
Megjithatë, ajo që dihet është se LVV ka thënë se ka vija të kuqe me PDK-në dhe Listën Serbe.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ditë më parë tha se edhe nëse do të ndodhte një kërkesë nga ana e VV-së, nuk do të pranonin të diskutonin për Qeveri me ta.
“Nuk kam kurrfarë kontakti as komunikimi me Vetëvendosjen. Nuk pres kurrfarë kërkese, por po e them përmes jush kot e dërgon kërkesën, sepse për këtë çështje as që e diskutojmë me Albin Kurtin çfarëdo lloj Qeverie në çfarëdo opsioni. Kjo është e qartë prej datës 10 shkurt, e ka thënë Bedri Hamza. Qëndrimet tona janë konsistente”, tha Krasniqi para gazetarëve.
Nga LDK, Gazeta Enigma arriti të kontaktojë vetëm me deputetin Arben Gashi, por i njëjti tha se nuk mund të flasë në emër të partisë.
I pyetur nëse është kontaktuar vetë ai nga Lëvizja Vetëvendosje, Gashi mohoi një gjë të tillë.
Kurse anëtari i AAK-së, Haki Abazi, për Gazetën Enigma tha se nuk është i njoftuar nëse nga Lëvizja Vetëvendosje kanë biseduar me AAK-në, por tha se është “absolutisht” kundër një koalicioni të tillë.
“Qëndrimi im është i ditur për Lëvizjen Vetëvendosje. Unë jam kundër një koalicioni. Kurti ka përfunduar epokën e tij politike. Me dështim dhe zhgënjim total për Kosovën dhe marrëdhëniet tona me garantuesit e shtetit. Jam absolutisht kundër një koalicioni”, tha Abazi për ‘Enigmën’.
“Zgjedhjet e reja janë të pashmangshme”
Njohësi i çështjeve politike, Dritëro Arifi, thotë në një prononcim për Gazetën Enigma se edhe nëse do të krijohej një Qeveri me numrat minimalë, e njëjta nuk do të ishte stabile dhe zgjedhjet e reja do të ishin të pashmangshme.
“Për shkak të hapësirës së shkurtër kohore që i ka mbetur Kurtit dhe për shkak të angazhimit joserioz për të krijuar Qeverinë, nuk besoj se do të kemi Qeveri me kushte normale. Edhe nëse bëhet një Qeveri me ndonjë ‘shitje’ të deputetëve, nuk do të jetë në kushte stabile dhe normale. I bie që ta kemi një Qeveri vetëm sa për një përdorim, pra të miratohet ndoshta buxheti dhe do të shkohet sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme”, deklaroi Arifi.
Arifi thotë se në klimën politike është krijuar mosbesim dhe mosbashkëpunim mes partive shqiptare.
Sipas tij, të gjitha partitë duan zgjedhje të reja, “për shkak se të gjitha partitë po e kërkojnë një ripozicionim”.
“Jam i bindur se pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme, partitë do të bashkëpunojnë. Nuk do të ketë vija të kuqe nga asnjëra parti. Secila pretendon një ripozicionim më të mirë, pas zgjedhjeve nacionale.”
Cila do të ishte zgjidhja e tanishme?
Një koalicion i madh mes partive shqiptare do të ishte zgjidhje për një Qeveri stabile, sipas profesor Arifit.
Për këtë, ai tregon arsyen.
“Duke parë edhe rrethanat gjeopolitike, jo vetëm në Ballkan, por edhe në politikën globale, e vetmja mënyrë për t’i bërë ballë sfidave që mund të vijnë, janë e vetmja mundësi me i përballu, jo vetëm aspekteve luftarake, por edhe sfidave ekonomike, sociale e të tjera. Pra, një koalicion i madh që mund të ketë kuadro që mund të jenë më përmbajtjesor.”
Çka nëse Kurti s’e formon Qeverinë?
Nëse Kurti dështon deri të dielën, presidentja Vjosa Osmani do t’ia kalojë mundësinë vendit të dytë nga zgjedhjet, PDK-së me Bedri Hamzën kandidat.
Megjithatë, Arifi tha se e sheh të vështirë një Qeveri pa Vetëvendosjen, “sepse as partitë ish-opozitare nuk do ta merrnin bajrakun apo guximin ta krijojnë një Qeveri të pakicës, sepse i dinë pasojat që mund të vijnë pas disa muajve.”
Nëse as Hamza nuk arrin ta krijojë Qeverinë, vendi detyrohet që brenda 40 ditëve të mbajë zgjedhje të jashtëzakonshme.
/GAZETA ENIGMA/