Vëllai tenton ta vras vëllain në Gjakovë, ngatërresa filloi për motive pronësore

Një 37-vjeçar ka përfunduar në prangat e Policisë, mbrëmë para mesnatës në Gjakovë, pasi dyshohet se ka tentuar ta vras vëllain e tij me armë zjarri.

Zëdhënsi i Policisë për rajonin e Pejës, Shermet Elezaj ka konfirmuar për Gazetën Enigma, se ngjarja ka ndodhur në rrugën ’’Ferid Domi’’,  ku i dyshuari V.V., ka gjuajtur me armë në drejtim të vëllait të tij, 30-vjeçar.

Sipas informatave të para, motivi i tentim vrasjes dyshohet të jetë  mosmarrëveshja pronësore.

Policia ka bërë të ditur se janë sekuestruar një pistoletë dhe disa fishekë për të cilët dyshohet të kenë qenë në pronësi të dyshuarit.

“Me datë 21.06.2022 në Stacionin Policor-Gjakovë, ankuesi mashkull/kosovar (lindur në vitin 1992) ka raportuar se rreth orës 22:45, i dyshuari mashkull/kosovar (lindur në vitin 1987), ka shtënë me armë zjarri në drejtim të tij (nuk është raportuar për të lënduar). Në vend-ngjarje kanë dalë njësitet relevante të policisë dhe është arritur të bëhet arrestimi i  të dyshuarit. Lidhur me rastin janë sekuestruar një pistoletë dhe disa fishekë për të cilët dyshohet të kenë qenë në pronësi ose posedim të paautorizuar nga i dyshuari”, ka thënë ai për Gazetën Enigma.

I dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë me vendim të prokurorit.

“Është njoftuar Prokurori i Shtetit me vendimin e të cilit i dyshuari mbahet ne ndalim policor për 48 ore. Rasti vazhdon me hetime, iniciuar si “Tentim vrasje” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës”, ka thënë ai.

Related Articles